Arbëri

Ligji për shqipen afron Zaevin me partitë shqiptare për bashkëqeverisje

Kryesia e BDI-së i ka dhënë mbështetjen e plotë kreut të partisë Ahmeti, nëse dhe kur do t’i ofrojë nënshkrimet për qeverisjen e ardhme e të mundshme me BDI-në.

Burimet e ALSAT nga brenda partisë thonë se ende nuk është vendosur nëse do të jepen nënshkrimet, por të paktën kryesia ka vendosur njëzëri që të drejtën për këtë, ta ketë ekskluzivisht vetëm kreu Ahmeti. Po ashtu, njëzëri mbrëmë mori pëlqimin edhe Ligji për gjuhën shqipe, i cili ishte pika kryesore e shqyrtimit të mbrëmshëm në Kryesinë e bluve në Reçicë. ALSAT mëson se nuk ka pasur asnjë anëtar kundër, madje ligji është votuar njëzëri nga anëtarët e Kryesisë së gjerë. Janë shqyrtuar një më një, të gjitha nenet ndërsa janë dhënë sqarime për mënyrën se si o të funksionojnë edhe agjencia dhe inspektorati i gjuhës. Bujar Osmani, anëtari i Kryesisë dhe njëkohësisht zëdhënësi i partisë, u shpreh me tone pozitive lidhur me këtë arritje, ndërkohë që theksoi se së shpejti BDI-ja do të hapë debatin edhe mbi pika të tjera.

Për ligjin e gjuhës shqipe paraprakisht kishte ofruar një version Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, por më pas BDI në bashkërendim me Aleancën për Shqiptarët, dhe konsultë më të gjerë të ekspertëve juridikë, hartoi draft-ligjin që mundëson avancimin e statusit juridik të përdorimit të gjuhës shqipe në më shumë dimensione.

Në mbledhjen e kryesisë së BDI-së, ku kanë marrë pjesë dhe deputetët e zgjedhur në parlamentin e Maqedonisë nga kjo parti, në formë të detajuar mbrëmë ka shqyrtuar më shumë se 20 nene të draft-ligjit të zyrtarizimit të gjuhës shqipe, nga secili anëtar i BDI-së, ka bërë të ditur zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë qendrore.

“Përmbyllëm këtë pjesë të debatit, dhe nga dita e premte presim të fillojmë diskutime për harmonizim eventual të platformës për bashkëqeverisje. BDI sot (të mërkurën) dha pëlqim për draft-ligjin e zyrtarizimit të gjuhës shqipe nga ku mund të fillojmë të diskutojmë edhe për çështjet tjera”, u shpreh Bujar Osmani.

Pas çështjes së gjuhës shqipe, të premten pritet të diskutohen temat që kanë të bëjnë me zgjidhjet ligjore për barazinë ekonomike të të gjitha rajoneve te Maqedonisë, si kusht që deputetët shqiptarë të deponojnë nënshkrimet e tyre, në mënyrë që lideri i LSDM-së, Zoran Zaev të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë, pasi paraprakisht, lideri i VMRO DPME-së, Nikola Gruevski dështoi të formojë Qeverinë.