Pas dorëheqjes së Dan Coatsit, presidenti amerikan Donald Trump ka nominuar kongresistin teksan, John Ratcliffe, për postin e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. 53 vjeçari Ratcliffe njihet si besnik i presidentit Trump dhe ky i fundit e ka përshkruar si një ish-prokuror mjaft të respektuar.
Por interesant është fakti se John Ratcliffe ka lidhje të forta me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njihet si mbështetës i pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe çështjes shqiptare në Ballkan, shkruan Tch.
Në 2016-ën, Ratcliffe mori pjesë në Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare, ku mbajti edhe një fjalim.
Në takime të tjera, John Ratcliffe shfaqet në krah të Pandeli Majkos, ministër i Shqipërisë për Diasporën, dhe Fatmir Mediut, ish-ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë.

Por, në takime me Ratcliffen janë parë edhe zyrtarë nga Kosova, nga PDK e LDK, si ish-ministri Besim Beqaj, deputetja Ganimete Musliu, pastaj deputeti Armend Zemaj e të tjerë.
Ai shërben aktualisht në Komitetin e Inteligjencës, Komitetin për Sigurinë e Brendshme dhe Komitetin e Gjyqësorit të Kongresit amerikan. Për t’u emëruar në krye të Inteligjencës Kombëtare, kandidatura e Ratcliffe duhet të miratohet nga Senati i SHBA-së.