Ragip Mustafa, pronar i kompanisë “Beni Dona Plast” që hetuesia pretendon që së paku në dy tenderë ka përdorur ISO certifikata të falsifikuara, ka raporte të ngushta me zyrtarë të lartë të shtetit. Ai është i afërt me LDK-në, por në dokumente valide që i ka siguruar KOHA, emri i tij figuron në listën e udhëtimeve private me ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti. E në këto dokumente del që Sahiti privatisht ka udhëtuar edhe me zyrtarë të prokurimit në PK. “Beni Dona Plast” ka fituar ndër vite miliona euro tenderë në Polici. Sahiti privatisht ka udhëtuar edhe me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, e me biznesmenë të tjerë
Prishtinë, 30 janar- Dy lloj veprimesh, më 2020, në raport me biznesmenin Ragip Mustafa, kishte ndërmarrë Policia e Kosovës.
Task-Forca Kundër Korrupsionit po e hetonte pronarin e “Beni Dona Plast” në lidhje me dyshimet për mashtrim e falsifikimin e ISO certifikatave në tenderin 8 milionë eurosh për ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, e Zyra e Prokurimit në të njëjtën kohë i dha tender në vlerë të një milion eurove për furnizim me ushqim në Policinë e Kosovës.
Pa përgjigje përfundimtare nga Turqia
Kësisoj, “Beni Dona Plast” në mars të vitit 2020 fitoi tenderin për produkte ushqimore dhe pije në Policinë e Kosovës, ndërsa vlera e kontratës 12-mujore ishte 944.151 euro.
KOHA ka siguruar certifikatat e cilësisë së kësaj kompanie të dorëzuar në Policinë e Kosovës.
Për dallim nga ISO certifikatat e dorëzuara në FSK, të cilat po hetohen nëse janë të falsifikuara , në Policinë e Kosovës janë dorëzuar ISO certifikata të Turqisë.
Policia e Kosovës ishte në dijeni që ka dyshime që kundër kompanisë që ishte pretendente për ta fituar tenderin milionësh kishte dyshime se muaj më parë i kishte falsifikuar ISO certifikatat.
Kjo sipas burimeve, ishte bërë shkas që megjithatë të kërkonte sqarime nga certifikuesi turk “Kascert” nëse e kishte certifikuar atë.
Dyshimi, sipas burimeve, është se ani pse dy certifikata të ndryshme, njëra ISO 22000 e tjetra ISO 9001, kishin numër identik. E kjo dëshmohet në dokumentet që i posedon KOHA, e të cilat janë dorëzuar kur “Beni Dona Plast” ka konkurruar për tender. Në të dyja certifikatat te pjesa e titulluar “Certificate No” është dhënë shifra identike: KAS030620190101.
Një burim brenda Policisë së Kosovës ka treguar që ky institucion i është drejtuar kompanisë certifikuese për sqarime.
“Përgjigja e tyre ishte që, po i kanë lëshuar këto certifikata”, ka thënë burimi. Me tutje ai ka treguar që sërish kanë kërkuar sqarime nga kompania turke, por që ata nuk u janë përgjigjur.
“Pas përgjigjes së parë, Policia e Kosovës e ka pyetur nëse vetë kompania ka të drejtë ligjore t’i bëjë këto dy certifikime, por ata nuk janë përgjigjur fare”, ka thënë i njëjti burim. Kjo informatë, KOHËS i është dhënë nga disa persona të ndryshëm që punojnë brenda këtij institucioni.
Pasi kjo kompani më nuk është lajmëruar, Policia e Kosovës e ka nënshkruar kontratën me biznesmenin Mustafa.
Për një varg pyetjesh të parashtruara nga KOHA, Policia e Kosovës ka zgjedhur të përgjigjet me një fjali.
“Ju njoftojmë se të gjitha aktivitetet e prokurimit (tenderët) në Policinë e Kosovës zhvillohen në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik dhe procedurave të tjera ligjore. Operatorët ekonomikë për t’u përzgjedhur fitues të çdo projekti (tenderi) duhet t’i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore që parashihen dhe ta prezantojnë edhe dokumentacionin e kërkuar sipas Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për këtë çështje.
Lidhjet e forta të Mustafës me politikën dhe hetuesinë
Ragip Mustafa është biznesmen i njohur për publikun. Ai vazhdimisht ka qenë përfitues i tenderëve publikë.
Në verën e 2020-s, Mustafa e hapi një biznes hotelier në Shqipëri.
Fotot e publikuara në rrjete sociale nga kjo ngjarje përfshinin figura shumë të rëndësishme politike, siç janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ish-kryeministri, Isa Mustafa, ish-kryeministri, Ramush Haradinaj dhe ish-kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj.
Vitin e kaluar, kur u bë publike lista e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së të përbërë prej 131 anëtarëve, në pozitën e 67-të ishte edhe emri i Ragip Mustafës. Një burim ka thënë që bëhet fjalë për pronarin e kompanisë “Beni Dona”, por që kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ndonëse është pyetur për këtë çështje nga gazeta, nuk është përgjigjur.
Por, Mustafa ka lidhje të forta edhe me hetuesinë.
Rreth tre vjet më parë, KOHA përmes rrugëve jozyrtare pati siguruar disa dokumente nga Sistemi për Menaxhimin e Kufirit.
Këto dokumente të papublikuara asokohe dëshmojnë për raportet e aferat të disa biznesmenëve me njerëz shumë të rëndësishëm të hetuesisë.
Në vitin 2015, shef i Krimeve Ekonomike për Rajonin e Prishtinës ishte Nazim Sahiti, që më vonë u bë shef i Krimeve Ekonomike, por u largua nga kjo pozitë kur në pushtet erdhi VV-ja.
Sahiti e Mustafa, sipas këtyre dokumenteve, kishin udhëtuar disa herë bashkë.
Në një veturë që zë gjashtë persona, sipas dokumenteve që ka siguruar KOHA, Sahiti së bashku me biznesmenin Mustafa, pastaj një biznesmen tjetër së bashku me bashkëshorten, kishin kaluar pikën kufitare të Hanit të Elezit.
KOHA përveç në email të kompanisë dhe drejtpërdrejt Mustafën, e ka kontaktuar edhe avokatin e tij, Besnik Berisha. Ai ka thënë që nuk dëshiron të deklarohet për shkak që ka dorëzuar në hetuesi faktet në lidhje me këtë çështje. Në anën tjetër, afërsinë e Mustafës me zyrtarë të lartë të hetuesisë, ka thënë se “nuk ia vlen të komentohet”.
Ish-shefi i Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti, përveç me Mustafën, jashtë vendit shoqërohej edhe me një person zyrtar të prokurimit në Polici. Ai dhe një person zyrtar i prokurimit kishin udhëtuar së bashku, me të njëjtën veturë të premten e 20 shtatorit të vitit 2017.
Ky person zyrtar i prokurimit, identitetin e të cilit po e mbron KOHA për shkak të privatësisë, kishte përgjegjësi direkte në tenderë, e kompania e Ragip Mustafës ka fituar shumë të tillë ndër vite në Policinë e Kosovës.
Për shkak se në Policinë e Kosovës ka rregullore të veçantë të komunikimit të zyrtarëve të saj me media, KOHA për këto udhëtime ka dërguar pyetje në Zyrën për Informim, të cilët janë lutur që t’ia përcjellin këtë email zyrtarit të tyre Nazim Sahiti. Një gjë të tillë nuk e kanë bërë.
Përderisa sistemi prokurorial zvarrit hetimet për dy kallëzimet penale kundër kompanisë “Beni Dona Plast”, “Olti Traising” e Mustafës po vazhdon punën në rinovimin e Prokurorisë Speciale, e zyrtarët e kësaj prokurorie po vazhdojnë të kryejnë punën në një objekt me qira, por që shumën e saktë të qirasë nuk ka pranuar ta bëjë publike KPK-ja, ani pse është pyetur për një gjë të tillë.
“Amnistimi” i Sahitit nga hetimi disa javë pasi udhëtoi jashtë Kosovës me Lumezin
Në fund të vitit 2018, ish-shefi i Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti, së bashku me një polic ishte përfshirë në rrahjen e ish-drejtorit të Telekomit, Agron Mustafa. Videot e rrahjes ishin publikuar në media.
Sahiti e Lumezi pak javë para rrahjes kishin udhëtuar së bashku, por që mbetet e paqartë nëse ishte udhëtim i punës apo privat. Kjo për faktin se në udhëtim, në të njëjtën veturë, ishin të pranishëm edhe një biznesmen dhe një familjar i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Udhëtimi, sipas dokumenteve të siguruara nga KOHA, ishte bërë të premten e dytë të dhjetorit 2017, në orën 18:31, e incidenti ku ishte përfshirë Mustafa pati ndodhur më 30 dhjetor të vitit 2017.
Fillimisht prokurorja e rastit Rukije Shasivari u kishte dhënë hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës autorizime për ta hetuar Sahitin. Kjo dëshmohej nga një shkresë e siguruar nga KOHA, e lëshuar më 4 janar 2018.
“Inspektoratit Policor të Kosovës…që të ndërmerrni veprimet përkatëse hetimore lidhur me rastin 2017–AB-4069 të datës 30.12.2017, me dyshim të kryerjes së veprës penale. Meqenëse në këtë rast penal të dyshuar janë zyrtarët policorë, Avni Berisha dhe Nazim Sahiti, ju autorizojmë që të ndërmerrni të gjitha veprimet hetimore konform dispozitave ligjore”, thuhet në autorizimin e shkruar nga prokurorja e shtetit.
Por një ditë pas, prokurorja pati ndërruar mendje. Tashmë konsideronte që Sahiti nuk ishte i dyshuar.
“Pasi që insistuan (hetuesit e IPK-së v.j.) se është mirë me pas autorizimin, për hir të rastit e lëshova dhe unë fillimisht nuk e precizova me emër konkret, por vetëm në drejtim të numrit të rastit dhe veprës penale. Hetuesi Bekim më tha se nuk bën pa e precizuar të dyshuarin dhe pasi që thashë se sa i përket Nazim Sahitit ende nuk e kam cilësuar të dyshuar dhe në këtë rast isha në dilemë për me precizu, por ai më tha se ‘ky autorizim vlen vetëm për hetime dhe nuk ka ndonjë rol cilësimi, sepse ky autorizim është vetëm për neve dhe nuk ka ndonjë që t’i mbulojmë veprimet tona hetimore lidhur me rastin”, thuhet në shkresën zyrtare të kësaj prokuroreje.
Ajo e pranon se menjëherë pasi ka lëshuar këtë shkresë është penduar se pse e ka cilësuar të dyshuar Sahitin. Për këtë e ka kontaktuar hetuesin e IPK-së.
“Më vonë, duke menduar se mos nuk është në rregull që e lëshova autorizimin ku theksohen si të dyshuar Avni Berisha dhe Nazim Sahiti, kam kontaktuar hetuesin Bekim dhe i kam thënë që lidhur me këtë që është shkruar në autorizim, se Nazim Sahiti është i dyshuar, mos e deklaroni si të dyshuar as për media e as për Zyrën për Media që të dalë informata se Sahiti është i dyshuar”, ka thënë përmes kësaj shkrese Shasivari.
Prokurorja ishte kontaktuar atë kohë për ndërrim qëndrimesh, por nuk ka pranuar të deklarohej për media.
Më vonë ishte ngritur aktakuzë për këtë rast, por jo për Sahitin.
Më 13 shkurt të atij viti, Sahiti së bashku me një biznesmen shumë të fuqishëm (të cilit për ruajtje të identitetit meqë nuk është objekt i hetimeve, i referohemi me N.N.) dhe Ragip Mustafën, me të njëjtën veturë, me targa 01- x5x (nr. i targave mbulohet për çështje konfidencialiteti), në orën 13:24, përmes pikës kufitare Hani i Elezit kishin udhëtuar jashtë Kosovës për t’u kthyer një ditë më pas.
Sahiti ka udhëtuar disa herë i shoqëruar nga biznesmeni N.N. dhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe një familjar i tij. Në një nga rastet, Lumezi, Sahiti e biznesmeni N.N. kanë udhëtuar më 8 dhjetor të vitit 2017, rreth orës 18:30, përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit.
Sahiti ka edhe udhëtime të tjera me Mustafën.
E veçmas ka edhe udhëtime të tjera private me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi.
KOHA në vitin 2018 e kishte pyetur kryeprokurorin Lumezi për afërsinë e tij me këto biznese.
Përgjigje nga ai gazeta ka tentuar të marrë edhe tani përmes KPK-së, ku Lumezi edhe për pak muaj do të jetë anëtar.
“Lidhur me këtë pyetje, kryeprokurori Lumezi është përgjigjur para një kohe në një bisedë telefonike që e keni zhvilluar, andaj referojuni përgjigjes së kryeprokurorit të dhënë në atë kohë”, thuhet në përgjigjen e KPK-së, dhënë javën e kaluar.
E, përgjigjja e Lumezit e dhënë para 4 vjetësh e papublikuar, por e arkivuar nga kompania, ka në vete zotimin së nëse biznesmenët e afërt me të bien ndesh me ligjin do të ndiqen penalisht.
“E nderuar, me gjithë respektin që kam për ju si gazetare profesionale që merreni me sistemin e drejtësisë, me keqardhje dua t’ju them se pyetjet të cilat mi keni drejtuar, më shumë kanë të bëjnë me mentalitetin e kafeneve sesa realitetin”, thuhet në përgjigjen e atëhershme të kryeprokurorit Lumezi.
Megjithatë, nuk i kishte mohuar raportet private me biznesmenët.
“Sa u përket personave të apostrofuar, dua t’ju siguroj se pavarësisht raporteve të mia zyrtare apo private, si kryeprokuror shteti unë vetëm mund t’i inkurajoj prokurorët të bëjnë punën e vet në mënyrë objektive dhe në përputhje me ligjin, nëse ata eventualisht kanë shkelur ligjin apo do të vijnë në kundërshtim me të”, thuhej në përgjigjen e Lumezit.
Lexoni edhe: