Presidentja Vjosa Osmani, tek e ka uruar Rutten për postin e ri, ka shprehur besim për thellimin e bashkëpunimit drejt garantimit të paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon dhe në avancimin e rrugës së Kosovës drejt NATO-s. E kryeministri Kurti ka theksuar që mezi pret ta vazhdojë bashkëpunimin me të
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë uruar ish-kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, i cili të martën e ka marrë detyrën e sekretarit të ri të përgjithshëm të Aleancës Veriatlantike të NATO-s.
Në këtë detyrë, të cilën e ka pranuar nëpërmjet një ceremonie solemne në selinë e NATO-s në Bruksel, Rutte e ka pasuar norvegjezin Jens Stoltenberg që ka qenë në krye të Aleancës më të madhe ushtarake në botë për një mandat rekord prej 10 vjetësh.
Presidentja Osmani ka shprehur besim se nën udhëheqjen e Ruttes, partneriteti dhe bashkëpunimi midis Kosovës dhe NATO-s “do të forcohen edhe më tepër”.
“Mezi pres të bashkëpunojmë drejt garantimit të paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon dhe në avancimin e rrugës së Kosovës drejt NATO-s. Një falënderim i përzemërt për Jens Stoltenberg për shërbimin dhe udhëheqjen e tij, duke i dëshiruar atij më të mirën në përpjekjet e tij të ardhshme”, ka shkruar Osmani në një postim në platformën “X”.
Urime për Rutten ka shprehur edhe kryeministri Kurti, tek ka theksuar se mezi pret që ta vazhdojë bashkëpunimin me të.
“Ne në Kosovë ju dëshirojmë suksese të mëdha dhe mezi presim që ta vazhdojmë bashkëpunim tonë në kapacitetin tuaj të ri”, ka shkruar Kurti.
E Rutte, tek ka folur para gazetarëve në Bruksel, ka përmendur tri prioritete për mandatin e tij. Si të parin ai e ka numëruar forcimin në përballje me sfidat dhe rreziqet ndaj një miliard banorëve të vendeve anëtare të Aleancës së NATO-s, të dytin atë për ndihma Ukrainës dhe të tretin përballja me sfidat globale.
Rutte ka thënë se duhet të vazhdojë investimi i vendeve anëtare të NATO-s në rritjen e kapaciteteve ushtarake, teksa ka nënvizuar se “të gjithë duhet ta marrin përsipër pjesën e vet të barrës për sigurinë e përbashkët”.
Gjatë fjalimit të mbajtur në Bruksel si dhe në një konferencë shtypi, Rutte më së shumti ka përmendur Ukrainën, duke thënë se e sheh këtë shtet duke ecur edhe drejt fitores në mbrojtjen nga agresioni rus por edhe në rrugë të pakthyeshme drejt NATO-s.
“Mbështetja e Ukrainës është një gjë e drejtë dhe është investim në mbrojtjen e përbashkët. Çmimi për mosmbështetjen e Ukrainës do të ishte shumë më i lartë sesa mbështetja”, ka deklaruar Rutte.
Për sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s edhe bashkëpunimi me Bashkimin Evropian (BE) shihet si kyç. Ai ka theksuar se e mirëpret angazhimin e BE-së për të rritur kapacitet e mbrojtjes, por duke respektuar përshtatjen me NATO-n dhe duke mos krijuar duplifikim, sepse interesat, sipas tij, janë të përbashkëta.
Rutte ka akuzuar Kinën se po e ndihmon luftën e Rusisë në Ukrainë ndërsa ka nënvizuar se shteti rus po merr ndihmë edhe nga Koreja e Veriut dhe Irani. Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s ka thënë po ashtu se është i bindur që ndihma amerikane për Ukrainën do të vazhdojë, pavarësisht asaj se kush do të dalë fitues në zgjedhjet në SHBA, pasi ai ka “punuar me të dy kandidatët”.
“Kam punuar me Donald Trumpin. Duhet ta pranojmë një gjë. NATO ka rritur shpenzimin për mbrojtje dhe për këtë, merita ka edhe Trumpi”, ka thënë Rutte.
As në fjalim e as në konferencë për gazetarë, Rutte nuk ka përmendur as Kosovën dhe as rajonin e Ballkanit Perëndimor, porse fokusi ka qenë kryesisht në Ukrainë dhe në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të NATO-s.
Liderët e shtetit urojnë Rutten, presin të bashkëpunojnë për avancimin e Kosovës në NATO
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Mark Rutten me marrjen e detyrës së shefit të NATO-s, duke thënë se mezi pret të bashkëpunojë me të.
Osmani ka shkruar në rrjetin social “X” se ka besim se nën udhëheqjen e Ruttes, partneriteti dhe bashkëpunimi “do të forcohen edhe më tepër”.
“Mezi pres të bashkëpunojmë drejt garantimit të paqes dhe sigurisë afatgjatë në rajon dhe në avancimin e rrugës së Kosovës drejt NATO-s. Një falënderim i përzemërt për Jens Stoltenberg për shërbimin dhe udhëheqjen e tij, duke i dëshiruar atij më të mirën në përpjekjet e tij të ardhshme”, thuhet në mesazhin e Osmanit.
Rutten e ka uruar edhe kryeministrin Albin Kurti. Ai ka thënë se i dëshiron suksese të mëdha “dhe mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në detyrën tuaj të re”.