Arbëri

Liberalizimi i vizave rrit kërkesat e qytetarëve për udhëtime

Aeroporti

Emigrimi i profesionistëve shëndetësorë është shqetësues dhe zë vend edhe në raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për vitin 2023. Ndër arsyet kryesore raporti rendit: pagat e ulëta, mungesa e kushteve të punës dhe kërkesat e larta për punëtorë shëndetësorë në vendet e BE-së

16-vjetori i Pavarësisë i gjen qytetarët e Kosovës me të drejtën për udhëtim të lirshëm në zonën Schengen. Liberalizimi i vizave, që për shtetet e rajonit qe përmbyllur shumë vjet më herët, Kosovës iu hoq tek në janarin e sivjetmë. Dalja nga izolimi ka rritur edhe kërkesat për udhëtime. E, njohës të integrimeve evropiane e shohin këtë proces me ndikim edhe në subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës

Pa detyrimin për pajisje me viza për udhëtime në zonën Schengen i gjen kosovarët përvjetori i gjashtëmbëdhjetë i Pavarësisë së shtetit.

Nga 1 janari i sivjetmë qytetarët po e shfrytëzojnë këtë drejtë, që iu sigurua pas një procesi të stërzgjatur që u përmbyll rreth 12 vjet, pasi Kosova e mori udhërrëfyesin për viza.

Dalja nga izolimi rriti edhe kërkesat për udhëtime.

Valentina Gara, zëdhënëse në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, tha se sivjet janë shtuar destinacione të reja të fluturimeve.

“Në muajin janar të 2024-s janë shërbyer 287 mijë e 205 udhëtarë apo 21.9 për qind më shumë se në muajin janar të vitit 2023. Po ashtu janë realizuar 996 fluturime apo 23.3 për qind më shumë krahasuar me janarin e 2023-tës”, ka thënë ajo.

Gara tregoi se që nga 1 e deri më 13 shkurt, 116 mijë e 201 qytetarë kanë udhëtuar nëpërmjet aeroportit “Adem Jashari”. Më shumë se gjysma e tyre, sipas saj, kanë lëvizur nga Kosova drejt vendeve perëndimore.

E, njohës të fushës së integrimeve evropiane thonë se përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave ka ndikuar pozitivisht edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Pasaporta, shtetësia është një lloj vizitëkarte, letërnjoftimi i atyre njerëzve që i vizitojnë vendet e ndryshme. Në momentin që është e mundshme që të vizitohen ato vende pa viza është një lloj besimi që ky shtet, edhe një lloj indikatori të shpërfaqjes së marrëdhënies të atij shteti me shtetin që vizitohet që e ka larguar regjimin e vizave”, ka deklaruar profesori universitar Arben Hajrullahu.

Udhëtimi pa viza sivjet u mundësua edhe në Spanjë, shtet ky i BE-së që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, por që ia pranoi pasaportat. Hajrullahu e konsideron të rëndësishme që edhe vendet e tjera mosnjohëse t’i pranojnë pasaportat e Kosovës.

“Shpresa është që së shpejti një ditë edhe shtetet mosnjohëse në këtë rast të Bashkimit Evropian pesë e katër sidomos që janë edhe anëtare të Paktit Veriatlantik të NATO-s që ta kuptojnë se nuk ka më asnjë kuptim që të vazhdohet me politikën e mosnjohjes të Republikës së Kosovës. Kjo do të kontribuonte, njohja prej këtyre shteteve, do të kontribuonte drejpërsëdrejti në rritjen e sigurisë dhe tejkalimit të konflikteve, dhunës dhe një të themi të një trashëgimie jo të këndshme me të cilën janë ballafaquar njerëzit e Kosovës”, ka thënë ai.

Për më se dy dekada që pas çlirimit, qytetarët e Kosovës kanë qenë të izoluar. Në procesin e stërzgjatur deri në liberalizim, udhëheqës institucionesh e politikanë e synuan kapitalizmin se kush është më meritor për heqjen e vizave që nuk po ndodhte. E kjo ngutje për marrje meritash shpesh i ka vënë ata në situata të palakmueshme.