Shumica e drejtorëve të drejtorive në Policinë e Kosovës janë emëruar pasi pushtetin e mori Lëvizja Vetëvendosje. Javën e kaluar është shkarkuar shefi i Task Forcës Kundër Korrupsion, Shemsi Haziri. KOHA ka mësuar që kjo njësi ka intervistuar disa zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës
Policia e Kosovës ka ndërruar një pjesë të madhe të drejtorëve në pozitat kyç, prej kur e ka marrë mandatin Qeveria Kurti, dy vjet e gjysmë më parë.
Drejtorët e departamenteve me të rëndësishme të Policisë së Kosovës janë zëvendësuar me të rinj.
Të premten e javës së kaluar, nga pozita e udhëheqësit të Njësitit Special për Hetim të Korrupsionit është shkarkuar Shemsi Haziri. Kjo njësi është ish-Task Forca Kundër Korrupsionit që ishte shuar me vendim të Qeverisë Hoti, e për të cilën pati reagime të ashpra nga organizatat vendore e ndërkombëtare.
E njëjta njësi është duke e hetuar rastin e dyshimeve që rendojnë mbi ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Po ashtu në koordinim me Prokurorinë Speciale, kjo njësi e ka arrestuar kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasiniqi.
Burime të KOHËS, kanë thënë se muajt e fundit kjo njësi ka intervistuar të paktën dy zyrtarë të lartë të qeverisë për dy raste të ndryshme.
KOHA ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.
Para disa muajsh, nga pozita e shefit të hetimeve për gjithë Policinë e Kosovës ishte larguar Arben Paqarizi. Ai u emërua në këtë pozitë gjatë Qeverisë Kurti, por me pas dha dorëheqjen.
Paqarizi mori këtë pozitë, pasi drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni largoi udhëheqësin paraprak të kësaj njësie, Riza Shillova.
Ndryshime pati edhe në njësi të tjera.
Drejtoria e Krimeve Ekonomike është një nga drejtoritë me të rëndësishme të Policisë së Kosovës. Ajo merret me hetimin e veprave penale që lidhen me korrupsionin. Në këtë pozitë, në fillim të mandatit të kësaj qeverie ishte emëruar, Musli Salihu. Atë e larguan dy muaj me herët.
Nga ndryshimet u prek edhe drejtoria e Antidrogës. Bahri Shala është larguar nga kjo pozitë në nëntorin e vitit 2021.
Ndryshimet prekën edhe pjesën operative. Muaj me parë, shefi i Operativës në regjionin e Prishtinës, Shkëlzen Xhafa, është larguar nga kjo detyrë.
KOHA ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës për këtë çështje, por nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.
Policia e Kosovës ka vite që kritikohet për dështim në hetimet për korrupsion, sidomos të zyrtarëve të lartë. Situata as pas ndryshimeve të bëra, vlerësohet se nuk ka ndryshuar. Përveç rastit të arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Kraniqi, ka vite që nuk është zbuluar ndonjë aferë e korrupsionit. Rastet e fundit që morën vëmendje publike ishin afera e “Subvencioneve” dhe ajo e njohur si “Brezovica” që ishin në proces të hetimit shumë kohë më parë.