Lëvizja Studentore për Barazi - Studim Kritikë Veprim, të hënën ka organizuar aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Aktivistë të kësaj lëvizjeje, kanë vënë disa banerë në hyrje të kësaj ministrie për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj ndërhyrjes së ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, në politikat e regjistrimit të studentëve dhe në vetë autonominë e Universitetit të Prishtinës. “Universiteti duhet të ketë autonomi”, “Politika duart larg nga Universiteti” dhe “UPavarur” ishin përmbajtjet e banerave që mbanin anëtarët e Lëvizjes Studentore për Barazi – SKV.
Më 19 nëntor, ministri Likaj ka marrë vendim që të rrisë numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme për 50 studentë më shumë, edhe pse kjo nuk është kompetencë e ministrisë, por e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit.
“Ne si SKV, nuk kemi asgjë kundër këtyre studentëve të cilët do të pranoheshin, por jemi kundër këtij vendimi të jashtëligjshëm të këtij ministrit, të cilin ai e ka bërë në krye në veti dhe pa u konsultuar me askënd”, ka thënë Albertina Dedinca, studente e Universitetit të Prishtinës dhe aktiviste e SKV-së.
Ministri Likaj vendimin e ka marrë pas kërkesës së ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, për rritje të numrit të studentëve në atë fakultet. Në këtë vendim thuhet se ministri është konsultuar edhe me KShC, porse ai u përgënjeshtrua menjëherë nga Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), Gazmend Luboteni, i cili deklaroi se nuk janë konsultuar fare për këtë vendim.
“Ne sapo jemi informuar për vendimin dhe KShC-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë çështje”, tha ai.
KShC-ja ka përcaktuar se numri i studentëve që mund të regjistrohen në programin Mjekësi e Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë është 150 dhe skadimi i këtij akreditimi është më 9/30/2022.
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka publikuar në shtator të këtij viti listën përfundimtare me programet e akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, si dhe numrin e studentëve të lejuar për regjistrim në secilin program akademik.
“Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e fundit ka përcaktuar kuotat me numrin e studentëve që mund të regjistrohen në secilin program akademik, ashtu siç është rekomanduar në raportin e ekspertëve ndërkombëtarë. Institucionet e arsimit të lartë janë të obliguara të respektojnë këto kuota, ashtu siç është e përcaktuar me legjislacionin në fuqi”, thuhet në vendimin e AKA-së.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për arsim, Valenita Bunjaku-Rexhepi, i kishte dërguar letër ministrit Likaj, duke i thënë se Komisioni për Arsim janë të pajtimit për të rritur numrin e studentëve në Mjekësinë e Përgjithshme. Pas disa orësh, ajo ishte demantuar nga disa deputetë anëtarë të këtij komisioni duke thënë se nuk ishte marrë vendim fare në këtë komision.
E kundër kërkesës të ministrit Zemaj është shprehur edhe Rektori i UP-së, Naser Sahiti dhe dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu.
Rektori Sahiti në përgjigjen e tij është shprehur se nuk mund të aprovohet një kërkesë e tillë, pasi kjo çështje sipas tij, rregullohet nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe se duhet respektuar kuotat e përcaktuara nga ana e KShC.
Ndërkaq, nëpërmjet një përgjigjeje kundër është shprehur edhe dekania e Fakultetit të Mjekësisë, e cila ka thënë se rritja e numrit të studentëve duhet të bëhet me proces të rregullt, sipas procedurave të akreditimit të përcaktuara me aktet ligjore në fuqi të Agjencisë së Akreditimit.
Ndërhyrje në kompetencat e Agjencisë së Akreditimit ka bërë më 2017 edhe ish-ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyçi. Ai me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj ka shkarkuar bordin e Agjencisë së Akreditimit dhe ushtruesen e drejtorit të këtij institucioni. Pak kohë pas kësaj ndërhyrjeje, Agjencia Kosovare e Akreditimit u përjashtua nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
“Mosakreditimi na dëmton, ngase ne studentëve nuk na njihet diploma në asnjë vend të botës... Jemi kundër ministrit i cili merr vendim dhe nuk ua lë në dorë organeve kompetente. Këtë vendim është dashtë me e marrë Këshilli Shtetëror i Cilësisë”, ka thënë Berita Abazi, aktiviste e SKV-së.