Sirena të alarmit janë lëshuar në katër komunat në veri të Kosovës.
Sipas burimeve të KOHËS qytetarë serbë janë mbledhur para ndërtesave komunale në Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesa.
Kryetari i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, ka thënë se sirenat e alarmit “janë lëshuar nga strukturat paralele”, ndërsa si shkak për to ka thënë se “mund të jetë mitingu që do ta mbajë Aleksandër Vuçiqi në Serbi”.
Ugljanin i tha KOHËS se në komunat tjera, Zubin-Potok, Zveçan e Leposaviq, janë tubuar njerëz.
Ndërkohë, në Leposaviq janë vendosur dy kamionë para Komunës.
KOHA ka provuar disa herë të kontaktojë zyrtarë nga Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës por ata nuk janë përgjigjur.
Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut - që të gjithë shqiptarë - bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në Mitrovicë të Veriut ekziston një ndërtesë komunale që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Kryetari i ri, Erden Atiq, u betua atje më 19 maj. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.