Literaturën që i nevojitej për studimet në Fakultetin Juridik, Arbnor Krasniqi e ka zëvendësuar me ato për zanatin e ndërtimtarisë.
Krasniqi, ambientet e universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës i ka zëvendësuar me ato të Qendrës për Aftësime Profesionale, për t’u certifikuar për zanatin e muratorit, profesion që synon ta ushtrojë jashtë vendit.
“Me marrë një diplomë këtu dhe me shku jashtë për një jetë ma të mirë”, ka thënë Arbnor Krasniqi, student i Fakultetit Juridik në Pejë.
Edhe Dëfrim Vishaj ia ka kthyer shpinën Fakultetit të Turizmit për të njëjtin qëllim, teksa shprehet i dëshpëruar me mungesën e perspektivës së të rinjve.
“Po më duhet me migru jashtë vendit dhe për këtë arsye po duhet me pas një zanat që kur shkon jashtë me pas qysh me vazhdu”, ka thënë ai.
E pavarësisht vullnetit për t’ua mësuar zanatin e muratorit, trajnuesi i kursistëve të ndërtimtarisë, Sadri Kukaj, me mllef e sheh një fat të keq që po përcillet nga gjenerata në gjeneratë, pavarësisht periudhave kohore.
“Për mua është e dhimbshme pasi vet jam një kuadër i cili thjeshtë i ka sprovuar dhe i ka hetuar në kurrizin e vet gjitha këto peripeci”, ka thënë ai.
Për të si trajnues është e rëndë kur sheh numër të madh të studentëve që po ua kthejnë shpinën fakulteteve dhe si kuadro të rikualifikuara në zanate të ndryshme ikin jashtë vendit.
Në universitetin e Pejës “Haxhi Zeka” treguan për KOHËN se vetëm gjatë këtij viti akademik janë çregjistruar 152 studentë, prej tyre 111 meshkuj, dhe në këtë universitet nuk e përjashtojnë mundësinë që shumë prej tyre t’i kenë lënë studimet për të ikur jashtë vendit, por ka edhe të tillë që kanë përfunduar studimet në fakultete.
“Mjerisht është një numër qak edhe i fakulteteve deficitare që kërkojnë punë dhe kërkojnë aftësime në këto profesione. Faktikisht ndoshta në një far periudhe kishte me qenë përçmuese për ata, por halli i tyre ja imponon edhe tregu i punës ja imponon që të gjindet të aftësohet dhe të kërkojë punë dhe mirëqenie”, ka thënë Rexhë Gashi, drejtor i Qendrës për Aftësime Profesionale në Pejë.
Prej fillimit të vitit 2017, kur ka filluar të shënohet interesim i madh për kurset e kësaj qendre, e deri në fund të vitit të kaluar, janë certifikuar mbi 3 mijë të rinj.
Zanatet më të kërkuara aty janë, ai i ndërtimtarisë, hidro-instalime, saldimit dhe zdrukthëtarisë, më të cilat po punësohen më lehtë në tregun e jashtëm të punës.