Arbëri

Lëndët e trashëguara të korrupsionit mbesin problematikë e madhe

Platforma “Drejtësia sot”, në kuadër të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, ka publikuar raportin “Monitorimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë janar- dhjetor 2021”. Një prej problematikave që është cekur në këtë raport është numri i madh i lëndëve të natyrës së korrupsionit që janë trashëguar në vitin 2022. Në raport janë identifikuar edhe shkelje procedurale në proceset gjyqësore.

Janë gjithsej 294 lëndë të natyrës së korrupsionit që në vitin 2022 gjykatat e shkallës së parë i kanë trashëguar nga vitet e kaluara.

Ndonëse në raportin “Monitorimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë janar-dhjetor 2021” është vlerësuar si pozitive rritja e numrit të rasteve ku janë shqiptuar dënime plotësuese, Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerëson se lëndët e trashëguara mbesin problematikë e madhe.

“Si problematikë mbetet numri i madh i lëndëve të trashëguara për veprat penale korruptuese, krim të organizuar dhe shpëlarje të parave në nivel vendi, e sidomos në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila edhe më tutje mban primatin me numrin më të madh të lëndëve të trashëguara në këtë drejtim”, ka thënë Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS-ja.

Në konferencën ku janë paraqitur gjetjet e raportit, Liridon Salihi nga platforma “Drejtësia sot” ka folur për disa prej shkeljeve procedurale që kanë hasur gjatë monitorimit të proceseve gjyqësore.

“Shkelja e parë ka të bëjë me mosrespektimin e afatit për caktimin e shqyrtimit fillestar, kurse shkelja e dytë me mosrespektimin e afatit ligjor për caktimin dhe mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor sipas afateve ligjore. Mangësi që kanë të bëjnë me emërtimin ligjor të veprës penale dhe përshkrimin faktik të dispozitivit të akteve akuzuese: shkelje të gjykatës me rastin e pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurve, shkelja e ligjit special, mosarsyetimi i vendimeve gjyqësore gjatë shpalljes së aktgjykimeve, tejkalimi i afatit për shpallje të aktgjykimit, shqiptimi i gabueshëm dhe pa kohëzgjatje i dënimit plotësues”, ka thënë ai.

Sipas raportit, Gjykata e Apelit gjatë vitit 2021 ka zgjidhur 27 lëndë të natyrës së korrupsionit, prej të cilave 10 i ka kthyer në rigjykim, në 13 raste ka vërtetuar vendimet e gjykatave të shkallës së parë dhe në 4 raste i ka ndryshuar ato.

Për raste korrupsioni në vitin 2021 Departamenti i Krimeve të Rënda, në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka ngritur 29 aktakuza, ndërsa prokuroritë me numrin më të vogël të aktakuzave janë Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, të cilat kanë ngritur nga 7 aktakuza.

“Drejtësia sot” Këshillit Gjyqësor të Kosovës i ka rekomanduar që të ushtrojë sanksione më të rënda për gjyqtarët që bëjnë shkelje disiplinore, kurse prokurorëve u ka rekomanduar që të tregojnë profesionalizëm kur ngrenë e përfaqësojnë aktakuza në gjykatë.