Lënda e Kodimit, e cila është përfshirë si lëndë zgjedhore që nga fillimi i vitit shkollor 2024/2025, ende nuk po gjen zbatim në shumë shkolla të Prishtinës. Njëra ndër to është shkolla fillore “Pavarësia”, ku kjo lëndë nuk është bërë pjesë e orarit mësimor, për shkak të mungesës së kuadrove për ta ligjëruar.
Drejtori i shkollës, Halil Brahaj, ka thënë se mësimdhënësit që janë kompetentë për ta ligjëruar këtë modul e kanë normën e plotë.
“Nuk është e përfshirë lënda apo moduli i Kodimit për nxënësit e shkollës ‘Pavarësia’ pasi që mësimdhënësit që janë kompetentë për të ligjëruar këtë modul tek ne e kanë normën e plotë. Tani jemi në proces të konkursit të brendshëm për lëndët zgjedhore dhe prapëseprapë ne nuk kemi mësimdhënës nga brenda që mund të marrin orë të mësimit zgjedhor”, ka thënë Brahaj.
E në shkollën fillore “Emin Duraku” kjo lëndë nuk është bërë pjesë e orarit për një arsye tjetër. Këtë lëndë nxënësit nuk e kanë zgjedhur.
Drejtori i shkollës, Visar Osmani, ka thënë se ky modul ka qenë pjesë e listës së lëndëve zgjedhore mirëpo, sipas tij, nxënësit kanë zgjedhur lëndë të tjera sikur ajo Orientimi në Karrierë.
“E pse nuk është bërë përzgjedhja nga ana e tyre si lëndë... ne e dimë që tash bota është e orientuar kah teknologjia, por ajo ka qenë zgjidhje e lirë e ne si staf mësimdhënës nuk guxojmë me i fut duart në përzgjedhjen e tyre, kanë menduar diçka më atraktive. Por, siç e thashë, shkolla jonë ka kurse jashtë planprogrameve që i ka shteti. Shkolla ka arritur që me bashkëpunëtorë dhe miq... me organizata të ndryshme të organizojë memorandume bashkëpunimi që nxënësit të trajnohen në shkollë: programim, kodim dhe lëmenj të tjerë”, është shprehur Osmani.
KOHA ka kontaktuar edhe drejtues të shkollave të tjera në kryeqytet, të cilët kanë treguar që nuk e kanë futur këtë lëndë në program për shkak të mungesës së kuadrove dhe mosinteresimit të nxënësve.
Në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se lënda zgjedhore e kodimit është e përfshirë nëpër shkollat fillore.
“Çdo shkollë është pajisur me pajisje teknologjike si microbit dhe sensorë përcjellës, përmes të cilëve nxënësit realizojnë projekte të ndryshme që përfshijnë zgjidhjen e problemeve dhe nxitjen e të menduarit kritik. Një komponent kyç në këtë proces ka qenë edhe trajnimi i mësimdhënësve dhe arsimtarëve, për të siguruar një zbatim cilësor dhe të qëndrueshëm të këtyre iniciativave”, thuhet në përgjigje.
Për njohësin e arsimit, Rinor Qehaja, kjo lëndë duhet të marrë trajtim më serioz dhe të përfshihet në mënyrë të domosdoshme në planprogramet e të gjitha shkollave.
“Përtej asaj që ne duhet ta promovojmë kodimin, ky promovim duhet të konvertohet në planprograme mësimore, në përkrahje të komunave për rekrutim të mësimdhënësve për lënde zgjedhore në përkrahje dhe ngritje të kapaciteteve për mësimdhënës të cilët veçse e ofrojnë lëndën e teknologjisë informative, por më e rëndësishme në infrastrukturën përcjellëse që na garanton që ajo orë mësimore me zgjedhje ose pa zgjedhje të jetë atraktive”, ka thënë Qehaja.
Kodimi si lëndë zgjedhore ua mundëson nxënësve që të zhvillojnë aftësi bazike në fushën e teknologjisë dhe programimit.