Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për refuzimin e ankesave të Vetëvendosjes. LDK ka thënë se vendimi i PZAP-së konfirmon se “përpjekjet e VV-së për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor ishin të pabazuara dhe shpërfaqin mosgatishmërinë e tyre për të pranuar vullnetin e mërgatës sonë”.
LDK-ja ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugët ligjore për të paditur për shpifje këdo që, sipas partiakëve të kësaj partie, përpiqet të ndikojë në mënyrë të paligjshme në rezultatet zgjedhore.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër fushatën e organizuar të shpifjeve dhe dezinformatave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka për qëllim të komprometojë procesin zgjedhor dhe të delegjitimojë rezultatet që nuk i përshtaten interesave të saj”, thuhet në reagimin e partisë.
Në reagimin e partisë thuhet tutje se VV-ja ka tentuar ta uzurpojë procesin zgjedhor përmes manipulimeve dhe dezinformatave.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të tolerojë që Vetëvendosje të vazhdojë të përdorë shpifjet dhe manipulimet për të përmbysur vullnetin e qytetarëve dhe për të krijuar një realitet të rremë zgjedhor. Të gjithë ata që përhapin dezinformata me qëllim të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe të institucioneve të pavarura do të mbajnë përgjegjësi ligjore. LDK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të paditur për shpifje të gjithë ata që përpiqen të ndikojnë në mënyrë të paligjshme dhe antidemokratike në rezultatet zgjedhore”, thuhet në reagim.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Konkretisht, ka refuzuar ankesën për anulim të votave me postë dhe atë për rinumërim të atyre në Skenderaj.