Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj, ka kritikuar ekzekutivin për mosreflektim pas situatës së fundit që është krijuar si pasojë e grevës së rreth 280 punëtorëve të KRM “Pastërtisë”, të cilët për nëntë ditë nuk kanë mbledhur mbeturinat në qytet.
LDK-ja ka vlerësuar se qyteti i Ferizajt është shndërruar në deponi të mbeturinave.
Shefi i Grupit të asamblistëve të LDK-së në Ferizaj, Flamur Istrefi, në një konferencë për media të mbajtur të martën, ka thënë se edhe raporti vjetor i punës së kompanisë “Pastërtia” është cilësuar i dobët nga të gjithë kuvendarët në mbledhjen e fundit që është mbajtur të hënën.
Ai ka thënë se kuvendarët kanë treguar për gjendjen e rëndë të kësaj kompanie, ndërkaq ka akuzuar ekzekutivin për mosveprim në gjetjen e një zgjidhje. “
Kemi treguar që menaxhmenti i kompanisë ka shpenzuar më shumë para se sa ka inkasuar, që ka grumbulluar mbeturina më pak së në vitin paraprak, që edhe pse punëtorët punojnë në kushte të vështira menaxhmenti nuk e ndal luksin në dreka e darka, që borxhi i kësaj kompanie është rritur për 350 mije euro apo borxhi total ka arritur në një milion e 190 mijë euro. Edhe pse në një gjendje të vështirë financiare, gjatë vitit 2022 janë angazhuar rreth 20 punëtor të cilët vijnë kryesisht nga partitë në pushtet. Po ashtu, ishim të zhgënjyer që aksionarët e kësaj kompanie nuk ishin të pranishëm në Kuvend që të raportonin dhe të përgjigjeshin në pyetjet që kishim planifikuar t’ua bënim atyre. Ata e kanë obligim ligjor të raportojnë në Kuvend”, ka thënë Istrefi.
Sipas tij, në mungesë të angazhimit të aksionarëve për të tentuar që të gjejnë zgjidhje për të dalë nga kriza në këtë kompani, kuvendarët propozuan që ata të shkarkohet dhe të angazhohen të tjerë të cilët do të ishin me përgjegjës në punën e tyre. “Po ashtu kritikuam qasjen e zyrtarëve të kompanisë ‘Pastërtia’ si dhe qasjen e pushtetarëve komunal që si mjet komunikimi dhe kërcënimi me grevistët, kishin zgjedhur faqen e
Facebookut. Tashmë e kemi kuptuar, që ky pushtet kërcënimin e ka të rregullt në komunikimin e saj me të tjerët. I kërcënuan grevistët javën e kaluar me shkëputje të kontratës. Po ashtu, shprehim pakënaqësinë tonë me zyrtarët komunal të cilët intervenuan që të fshijnë linkun e seancës në “YouTube” e si pasojë e kësaj qytetarët tashmë e kanë të pamundur që t’i shohin deklarimet e kuvendarëve dhe të informohen se çfarë ka ndodhur gjatë seancës”, ka thënë më tej Istrefi.
Në anën tjetër drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt, Arben Halili, ka thënë se kompetent për menaxhimin e punëtorëve të KRM “Pastërtia” është vetë menaxhmenti i kësaj kompanie, ndërkaq Komuna ka të lidhura vetëm kontrata për mirëmbajtje dhe pastrim të mbeturinave.
Halili ka thënë se grevat e punëtorëve janë të jashtëligjshme pasi që sipas tij, shërbimet për pastrimin e mbeturinave nuk duhet të ndërpriten. “Ne kemi kërkuar nga bordi dhe menaxhmenti që urgjentisht në mblidhen së bashku me punëtor dhe të diskutojnë dhe të marrin vendime të shpejta për shkak të mos rrezikimit të shëndetit publik të qytetarëve dhe të sigurisë së qytetarëve. Ata duhet t’i mbledhin mbeturinat dhe për këtë ju kemi dërguar edhe shkresa zyrtare që brenda një afati të shkurtër të marrim përgjigje”, ka theksuar Halili.
Ndërkaq, në anën tjetër drejtori i KRM “Pastërtia” Basri Syla, në një intervistë për KOHEN ka thënë kanë kontraktuar dy kompani private për pastrimin e mbeturinave në qendër të qytetit derisa punëtorët ta kuptojnë krizën financiare brenda kompanisë së tyre. “Pagat të rriten nuk ka kapacitete financiare kompania për momentin sepse është në limitin e fundit të të hyrave dhe shpërndarjes së tyre. Ndërkaq, trusti është duke u paguar sepse kësti është prej 24 muajve sipas marrëveshjeve gati janë bërë 200 mijë euro pagesa deri më sot dhe nga qershori është duke u paguar trusti dhe borxhi i vjetër”, ka sqaruar ai.
