Arbëri

LDK: Pushteti i doli në mbrojtje “mafisë energjetike” që bëri 100 milionë euro pazare në dëm të KEK-ut e qytetarëve

Visar Azemi

Foto: Alban Bujari

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, ka thënë se ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqit, dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kanë qenë në krye të mafisë energjetike. 

Ai, në një konferencë për media, ka thënë se vetë vendosja e Krasniqit në krye të KEK-ut ka qenë problematike. Mirëpo, sipas tij, fatkeqësia më e madhe qëndron se edhe pas arrestimit të tij, “ai është mbrojtur nga partia në pushtet”. 

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës këtë javë ngriti aktakuzë ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili u arrestua me 19 prill 2023. Siç e thotë aktakuza, ky njeri nga 15 tetori i vitit 2021 e deri më 19 prill 2023, kur edhe u arrestua, në cilësinë e personit zyrtar, ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar'. Duhet ta themi se vetë instalimi i tij në krye të KEK-ut ka qenë problematik. Sepse këtë person aty e solli partia në pushtet, pasi dhe ai ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe ai erdhi në këtë pozitë nga Bordi i Përkohshëm, të cilin e kishte emëruar Qeveria Kurti”, ka deklaruar Azemi.

“Derisa kjo ishte e keqja e parë, fatkeqësia tjetër është se edhe pas arrestimit të Nagip Krasniqit, i madh e i vogël nga partia në pushtet e nga qeveria, i dolën në mbrojte atij duke u përpjekur ta shfajësonin. E mbronin dhe e mbrojnë ani pse e dinin se ky person dyshohej e akuzohej për negocimin e një tenderi sekret në vlerë prej 3.4 milionë eurove. Krejt kjo kur blloku A5 në Termocentralin Kosova A ishte ndërprerë, e në  mënyrë të pakuptimtë shtyhej remonti i këtij blloku. E kjo i kushtonte Kosovës rreth 1 milionë  euro në ditë duke blerë rrymë, të cilën e ndërmjetësonte njeriu tjetër i pushtetit, ambasadori i Kosovës në Kroaci dhe kryemafiozi i energjisë, Martin Berishaj, me të cilin, siç e dini, raportohej se Nagip Krasniqi takohej fshehurazi. E teksa me Martinin bëheshin pazare andej në dëm të KEK-ut e qytetarëve, pikërisht në KEK, janë negociuar e arritur plotë 113 tenderë sekret, në vlerë të mbi 100 milionë eurove”, ka shtuar ai.

Sipas Azemit, Krasniqi dhe Berishaj, kanë qenë në krye të mafisë energjetike. “Kjo dyshe famëkeqe pra kanë qenë në krye të mafisë energjetike. Nagip Krasniqi duke u siguruar që të blihet energji elektrike madje në kundërshtim me ligjin e duke negociuar tenderë sekret me dosta të tij e të pushtetit, kurse kryemafiozi Martin Berishaj që shpërblehej me miliona euro nga GEN-i me seli te A’ në Beograd, duke ndërmjetësuar”./ EO