Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se po i përcjell me llupë veprimet e Qeverisë, që sipas saj, me anë të propagandës po bën keqpërdorime.
Nëpërmjet një komunikate të lëshuar të dielën, LDK-ja e ka akuzuar Qeverinë për lëshimin e kontratave sekrete në vlerë prej 209 milionë eurove.
Më tej thuhet se kjo parti ka kërkuar përballje në Kuvend dhe themelimin e Komisionit Hetimor, por sipas saj, pushteti po i ik kësaj përgjegjësie.
“Sipas listës së Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vetëm tri vjet qeverisje, pushteti ka dhënë plot 781 tenderë sekretë, që do të thotë ka dhënë tenderë sekretë në vlerë prej 209 milionë euro. Pra çdo ditë pune pushteti jep 1 tender sekret. Kjo është e vërteta, dhe jo vetëm kaq. LDK-ja vlerëson se rritja e tenderëve sekretë gjatë këtij mandati është shumë shqetësues për shkak të keqpërdorimit të parasë publike. Nga viti i parë sa ishte 30 milionë euro, në vitin e dytë u bënë 70 milionë; përderisa në vitin e tretë janë bërë gjithsej 109 milionë euro. Ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë nënshkruar 7 tenderë sekretë, në vlerë prej 4.1 milionë euro. Nga 781 tenderë sekretë, tani janë 788, ndërsa nga 209 milionë euro, tashmë janë 213 milionë euro. Pra nga 1 milion euro në ditë po i jep kjo Qeveri”, thuhet në njoftim.
Më tej kërkohet sqarim për përdorimin e parasë publike.
