Arbëri

LDK-ja vazhdon të jetë e palëkundur në kërkesën për postin e presidentit

Takimi që është mbajtur sot mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sërish nuk dha rezultatin e pritur për krijimin e koalicionit bashkëqeverisës.

Burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje i kanë thënë portalit Koha.net se LDK-ja nuk ka lëvizur nga kërkesa për postin e presidentit.

Sipas këtij burimi edhe në takimin e sotëm, arsye e mosarritjes së marrëveshjes ishte pikërisht kjo çështje, e cila që nga takimet e para mes liderëve është bërë pengesë për dakordim mes dy partive.

“LDK-ja ende nuk ka lëvizur nga qëndrimet për postin e presidentit, përkundër deklaratave të deputetëve gjermanë dhe ndërkombëtarëve, të cilët kanë thënë se nuk është koha të flitet për pozitën e presidentit. Në fakt LDK-ja nuk ka lëvizur asgjë për tri javë”, ka thënë ky burim, duke shtuar se ende nuk ka një takim të ri të konfirmuar mes dy kryetarëve të partive.

E Kurti, para takimit të sotëm në një prononcim për media është shprehur optimist për marrëveshjen me LDK-në, mirëpo pas takimit, deklarimet e dy krerëve munguan.

As njëri e as tjetri nuk u prononcuan para gazetarëve të cilët pritën para Kuvendit për më shumë se një orë, për të mësuar detajet e takimit.

Koha.net ka kontaktuar edhe zyrtarë të LDK-së, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Kujtojmë se që pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, të dyja partitë kanë filluar punën në grupe punuese për të harmonizuar programin qeverisës.

Pas harmonizimit të programit qeverisës dhe pajtimit 100% për të, nisën takimet mes Kurtit e Mustafës. Marrëveshja për bashkëqeverisje fillimisht kishte qenë e fokusuar në ndarjen e ministrive, për të cilat dy partitë ishin pajtuar të ndaheshin 50/50. Po ashtu, postin e kryetarit të Kuvendit, VV-ja ia kishte ofruar LDK-së, ndonëse Gjykata Kushtetuese në një vendim të sajin të mëhershëm kishte thënë se ky post i takon partisë që del e para në zgjedhje. Më pastaj, LDK-ja e kishte kërkuar edhe postin e zëvendëskryeministrit të parë, gjë të cilën VV-ja e kishte pranuar. Por, pengesat lindën kur LDK-ja e futi në këtë diskutim edhe çështjen e presidentit.

E, analistët për mosarritje të marrëveshjes i fajësojnë të dyja partitë, duke thënë se parësore për to është ndarja e pushtetit dhe jo interesi shtetëror.

Analisti Ilir Ibrahimi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se asnjëra nga partitë nuk është e gatshme për koalicion ashtu siç u paraqitën para certifikimit të zgjedhjeve.

“Tash edhe LDK edhe VV nuk po i shohin më parimet shtetërore por vetëm interesat e ngushta politike”, ka thënë ai.

Opinionisti Rrahman Paçarizi, në Rubikon të KTV-së, ka thënë se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po del se nuk janë pajtuar as për programin qeverisës.

Ai ka thënë se sikur të dy partitë të kishin marrëveshje për program, s’do ta kishin të vështirë ndarjen e posteve, gjë që çoi në një ngërç në negociatat për formimin e qeverisë.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit të ri të Kosovës më 26 dhjetor.