Arbëri

LDK-ja vazhdon takimet nëpër degë, kërkon zgjedhje të parakohshme

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se dokumenti të cilin sot e ka miratuar kryesia e LDK-së në lidhje me orientimet e kësaj partie për dialogun me Serbinë dhe platformën për zgjedhjet nacionale, pritet të miratohet në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Beqiri, gjatë një takimi me strukturat e Degës së IV-të në Prishtinë, ka kërkuar koordinim dhe shtim të aktiviteteve në terren dhe mobilizim maksimal nga të gjitha strukturat e degës së IV-të dhe strukturat e LDK-së në gjithë Kosovën.

Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, ka thënë që LDK-ja duhet ta shtojë aktivitetin në terren dhe në raport me zhvillimet e shpejta nëpër të cilat po kalon vendi, “LDK-ja duhet të dalë e mobilizuar dhe e suksesshme”.

Në takim folën edhe deputetë të LDK-së, të cilët thanë se partia e tyre do t’i fitojë zgjedhjet nacionale.

Dega e IV-të, pas disa vërejtjeve, sugjerimeve, propozimeve dhe çështjeve të rëndësishme të cilat u diskutuan, në fund kanë shprehur përkrahje ndaj qëndrimeve të Kryesisë së LDK-së dhe kryetarit Mustafa.

Kryesia e LDK-së, gjatë ditës, ka vizituar edhe Degën e Artanës, me ç’rast Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri foli po ashtu për qëndrimet e LDK-së lidhur me dokumentin i cili përcakton, siç tha ai, qartë orientimet e kësaj partie për dialogun me Serbinë, që pritet të miratohet në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Sekretari i Përgjithshëm, gjithashtu ka folur për Forcat e Armatosura, kufijtë shtetërorë dhe listat e veteranëve, çështje këto të njohura për opinionin.

Beqiri ka thënë se institucionet kanë humbur legjitimitetin dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje, “prandaj LDK-ja vazhdon të punojë për të arritur votat e mjaftueshme për ta ngritur mocionin e votëbesimit”.

Lirije Kajtazi, kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, ka thënë që ky bashkëbisedim është forma më e mirë për “të filluar një rrugë të suksesshme të cilën LDK-ja do ta mbyllë me rezultat fitues”.

Vlora Dumoshi, ka përgëzuar strukturat e degës së Artanës të cilët, tha ajo, “kanë treguar kulturë të lartë politike” dha ka thënë se të gjitha kërkesat e tyre do të adresohen në organet e partisë dhe “në qeverisjen e ardhshme të LDK-së, Artana do të jetë e përkrahur përmes politikave të LDK-së”.

Dega e Artanës ka adresuar disa probleme dhe kanë shprehur përkrahjen për qëndrimet e kryesisë së LDK-së dhe kryetarit Isa Mustafa.