Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se të shtunën llogaritë zyrtare të Instagramit, kryetarit Lumir Abdixhiku, nënkryetares Doarsa Kica Xhelili, të kryetarit të Forumit të Rinisë, Paris Guri dhe disa llogari të kandidatëve tjerë për deputetë, kanë qenë cak i një sulmi.
Në reagim të LDK-së thuhet se llogaritë janë “shënjestruar qëllimisht dhe në mënyrë të kooridnuar, me qëllim dëmtimin e lirisë së shprehjes dhe ndërprerjen e procesit demokratik në prag të zgjedhjev të ardhshme”.
“Dhjetëra mijëra pëlqime false janë dërguar në postimet e këtyre llogarive për ta dëmtuar praninë tonë online dhe për të minuar integritetin e procesit zgjedhor. Sa për informacion ne kemi ndërmarrë masa të menjëhershme. Mbrëmë vonë informuam zyrtarisht Meta-n për këtë aktivitet të pazakontë, duke ofruar të gjitha detajet e nevojshme dhe duke kërkuar mbështetjen e tyre për të adresuar çështjen”, thuhet në reagim të LDK-së.
LDK-ja ka thënë se do t’i ndjekë masat ligjore për të zbuluar përgjegjësit e sulmit.
“Do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të zbuluar përgjegjësit dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe demokracinë”, thuhet në reagimin.