Deputetja Krasniqi

LDK-ja pret dorëheqjen e Kurtit: Ka dështuar në të gjitha fushat

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se pret dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti meqë siç thotë ajo ka dështuar në të gjitha fushat.

Opozita ka rritur zërat së fundmi duke bërë thirrje për dorëheqjen e Kurti. Vetë kryeministri teksa ka hyrë në vitin e fundit të mandatit ka thënë se nuk ka arsye të japë dorëheqje. Mënyra e vetme për largim nga ekzekutivi, Kurti ka thënë se është shpërbërja e Kuvendit.

Krasniqi ka kritikuar edhe marrëveshjen e Kurtit për themelimin e Asociacionit, ndërsa ka thënë se anëtarësimi i mundshëm në Këshillin e Evropës nuk është veç meritë e kësaj qeverie.  

“Po presim që Kurti të dorëhiqet sepse ka dështuar në të gjitha dikasteret. Asnjë fushë nuk ka pasur sukses. Në politikën e jashtme, meqë merrna më shumë me të, s’ka asnjë sukses. S’ka asnjë njohje. Anëtarësimi në Këshillën e Evropës nuk është meritë veç e Qeverisë, por kemi lobuar së bashku, të gjitha partitë. Në këso çështje, duhet të jemi të bashkuar. Marrëveshja e Kurtit për Asociacionin është marrëveshja më e keqe që ka pasur Kosova”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së.

Krasniqi ka përmendur “skandalet” e premtimet e pambajtura të Qeverisë Kurti.

“Kanë ardhur në pushtet me parullën ‘hajnat në burg’, por prej që kanë ardhur në pushtet, vetëm njerëzit e tyre po thirren nga Prokuroria. Katër vjet janë marrë me skandalet e ministrave të vet, njerëzve të vet. Rezervat shtetërore, Martin Berishaj, Nagip Krasniqi, Liburn Aliu janë disa prej tyre. Asgjë çka kanë thënë, nuk e kanë bë. S’ka çerdhe, s’ka banesa sociale, s’ka rrymë më të lirë, por më të shtrenjtë, ushqimet s’janë më lirë, ashtu siç kanë premtuar”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Kritika ka pasur edhe për dialogun, teksa ka thënë se Qeveria po shkon të diskutojë në Bruksel për çështje si dinari, “kurse në kohën e Avdullah Hotit diskutohej njohja reciproke”:

“Veç kanë dëshirë me bë kriza, me fsheh mospunën, asnjë dikaster s’po bën asgjë. Qe katër vjet, s’kanë bë kurrgjë”, ka thënë Krasniqi.