Gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me pasqyrat financiare të Komunës së Prizrenit për vitin 2022 kanë shtyrë LDK-në në këtë komunë që të kërkojë hetime penale për parregullsitë e identifikuara. E, pas publikimit të gjetjeve, kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka paralajmëruar drejtorët e ekzekutivit lokal se rekomandimet e dhëna duhen zbatuar, pa e kontestuar dhe pa e diskutuar raportin e auditimit
Drejtuesit e Degës së LDK-së në Prizren u kanë adresuar thirrje të premten organeve të ndjekjes që të iniciojnë hetime penale ndaj zyrtarëve të Komunës, lidhur me parregullsitë e identifikuara në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2022.
Sipas tyre, raporti e pasqyron praktikën qeverisëse të pushtetit lokal në Prizren me evidentimin e shkeljeve që përfshijnë vonesat në realizimin e projekteve kapitale, mosmbulimin e kontratave me sigurim të ekzekutimit, vonesat në pagesën e obligimeve financiare, parregullsitë në procedurat e prokurimit, zotimin e mjeteve financiare pas nënshkrimit të kontratave publike e të tjera.
Driton Selmanaj, kryetar i Degës së LDK-së, theksoi se këto gjetje të ZKA-së janë bazuar në mostrat e marra, pa hyrë në detaje të secilës kontratë.
“Dhe kjo në fakt tregon që nëse sipas këtyre mostrave dalin të gjitha këto parregullsi, i bie që kjo dukuri është masive në këtë qeverisje, nuk është sporadike, nuk është e izoluar në drejtori prej drejtorie, por është e shpërndarë në gjithë logjikën dhe mënyrën se si funksionon kjo qeverisje lokale në Prizren”, ka thënë Selmanaj.
Sipas tij, organet përgjegjëse duhet të nisin hetime penale për parregullsitë e identifikuara.
“Si rezultat i këtyre gjetjeve, LDK fton organet ndjekëse që sipas detyrës zyrtare të iniciojnë hetime penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj bartësve të funksioneve publike në Komunën e Prizrenit. Nuk ka nevojë që ne si parti politike tashmë të ngremë kallëzim penal për çështje konkrete, në rastin e tillë mjafton sipas detyrës zyrtare që dokumenti ose Raporti i Auditorit të shfrytëzohet si alibi e mjaftueshme që organet ndjekëse të vihen në lëvizje”, ka thënë ai.
E, pas publikimit të gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Audimit për pasqyrat financiare të vitit 2022, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka paralajmëruar drejtorët e ekzekutivit lokal se rekomandimet e dhëna duhen zbatuar, pa e kontestuar dhe pa e diskutuar raportin e auditimit. Në mbledhjen e fundit me drejtorët, ai ka paralajmëruar bashkëpunëtorët e tij që t’i trajtojnë me seriozitet gjetjet e Auditorit, në mënyrë që rekomandimet e dhëna të mos përsëriten në vitin vijues.
“Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që këto rekomandime që kanë dalë aty të merren shumë seriozisht. Edhe është alarmante në qoftë se një drejtorie i përsëriten rekomandimet e njëjta më shumë se një vit. Mbajeni në mend këtë, çdo drejtorie që rekomandimet i përsëriten të njëjtat më shumë se një vit diçka serioze nuk është duke funksionuar”, ka thënë Totaj.
Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të vitit të shkuar ka rezultuar me 14 rekomandime për Komunën e Prizrenit. Prej tyre, 8 janë të reja, 5 të përsëritura dhe 1 rekomandim pjesërisht është zbatuar. Fushat që kërkojnë përmirësim sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit janë prokurimi publik dhe menaxhimi i kontratave, subvencionet dhe mbikëqyrja e implementimit të projekteve të subvencionuara, klasifikimi i shpenzimeve në kategori përkatëse, menaxhimi i personelit, pasurisë, llogarive të arkëtueshme dhe detyrimeve kontingjente e të tjera.
Totaj ka pranuar se raporti i auditimit është i kualifikuar, por ka shtuar se ka pasur rritje të përqindjes së trajtimit të rekomandimeve nga mbi 40 për qind në mbi 60 për qind.
“Tash për këtë vit e di që 100 për qind nuk bëhet, perfeksionizmi nuk ekziston, por duhet të ketë të paktën rritje të përqindjes së implementimit të rekomandimeve, edhe ato rekomandime që janë përsëritur më shumë se një herë, ta keni parasysh se është çështje serioze dhe nuk pranoj asnjë arsyetim”, ka thënë kryetari i Prizrenit.
Për dallim prej 14 rekomandimeve për 2022-tën, raporti i auditimit për vitin 2021 kishte rezultuar me 16 rekomandime, ku sipas ZKA-së deri në fund të vitit 2022, 9 sosh janë zbatuar, 5 nuk janë adresuar, 1 rekomandim është zbatuar pjesërisht, derisa 1 rekomandim nuk është më i aplikueshëm.