Rritja e faturave të tatimit në pronë është shoqëruar me pakënaqësi edhe në mesin e asamblistëve të Prizrenit. Ata akuzuan si nivelin lokal, ashtu edhe atë qendror për ngufatjen e qytetarëve me rritje taksash, në kohë inflacioni. Zyrtarë të Ekzekutivit komunal janë shfajësuar, duke e hedhur përgjegjësinë te Qeveria
Pakënaqësitë lidhur me rritjen e faturave të tatimit në pronë janë adresuar edhe nga vendimmarrësit e pushtetit lokal në Prizren.
Reagimet rreth çështjes janë adresuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës, ku anëtarët nga radhët e Lidhjes Demokratike e akuzuan nivel lokal, por edhe atë qendror për ngufatje të taksapaguesve në kohë krize. E udhëheqja komunale, përgjegjësinë për gjendjen e krijuar ia barti Qeverisë.
Haziz Hodaj, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, vlerësoi se rritja e tatimit në pronë për 100 për qind përbën një lak në qafën e qytetarëve të Prizrenit dhe më gjerë.
“Se në një vend ku ka krizë, ku ka rritje çmimesh përditë, edhe me u rritë taksat nuk ka si shpjegohet ndryshe përveç se si një lak në qafë që është vënë dhe në njërën anë e ngrehë qeveria, në një anë qeveria komunale dhe e shtrëngon sa ma tepër qytetarin”, deklaroi Hodaj.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se normat tatimore që caktohen nga Komuna janë në nivel minimal, përderisa vlerësimi i çmimit të pronës është përgjegjësi e Ministrisë së Financave. Ai e fajësoi këtë ministri për veprim të njëanshëm.
“Mirëpo problemet që lindin në inkasim për shkak të rritjes së vlerës së tatimit në proporcion me gjendjen ekonomike, të cilën e kemi, edhe në proporcion të vazhdueshëm me rritjen e çmimeve edhe zvogëlimin e të hyrave të ardhurave, sidomos atyre që punojnë në sektorin publik, sepse akoma nuk e dimë as sa do t’i kemi rrogat në muajin tjetër, mendoj që ka qenë një veprim i njëanshëm i Qeverisë. Edhe sikur të kishte bashkëpunuar me komunat ndoshta edhe mund të kishim gjetur një marrëveshje, sepse ndoshta ne ishim pajtuar për një rritje, por jo kaq të madhe sepse 100 për qind është me të vërtetë shumë”, tha Totaj.
Ministria e Financave sqaroi se pjesa më e madhe e rritjes së faturave të tatimit në pronë derivon nga aplikimi i tatimit edhe për tokën, si pjesë e zbatimit të ligjit përkatës të miratuar në vitin 2018, që e parasheh tatimin 100 për qind të tokave në vitin e pestë të zbatimit të ligjit.