Në fillim të kësaj jave, Ilir Ferati, ka marrë zyrtarisht drejtimin e Istogut, por për të qeverisur këtë komunë, LDK-së si fituese e zgjedhjeve në këtë qytet i mungojnë numrat në Kuvend.
LDK-ja në Kuvendin Komunal ka 11 këshilltarë, AAK-ja 7, LVV-ja 5, PDK-ja 3 dhe subjekti GIBI 1. LDK-së i duhen së paku edhe tre këshilltarë për të siguruar shumicën në Kuvend, i cili ka gjithsej 27 ulëse.
Për mundësinë e krijimit të një koalicioni, kryetari i ri i Istogut, Ilir Ferati, i konfirmoi të enjten KOHËS se i ka bërë ofertë PDK-së dhe LVV-së për mundësinë e krijimit të një koalicioni për të bashkëqeverisur këtë komunë.
“Duke e diskutuar jemi me PDK-në dhe Vetëvendosjen, por ende nuk kemi ndonjë marrëveshje. Qëllimi është të krijojmë një qeverisje të mirë e jo vetëm për hir të numrave. Kemi edhe disa ditë afat sipas ligjit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit”, deklaroi Ferati për KOHËN.
Por Lëvizja Vetëvendosje në Istog ka mohuar se është duke diskutuar me kreun e ri të Istogut mundësinë e koalicionit.
Nënkryetari i LVV-së dhe njëherësh shef i grupit të këshilltarëve të LVV-së në mandatin e ri në Kuvendin Komunal të Istogut, Florin Dreshaj, i ka thënë KOHËS se LVV-ja ka refuzuar të flas me LDK-në për koalicion dhe se do të mbetet në opozitë në Istog.
“Nuk jemi në biseda hiq. Kanë kërkuar me u taku me neve, por nuk kemi pranuar as me dëgju ofertën e tyre dhe ne do mbetemi opozitë, sepse ne nuk e kemi ndërmend as të pranojmë të takohemi me ata të LDK-së. Mund takohemi veç me pi kafe, por jo me fol për koalicion, sepse ne nuk duam të bëjmë koalicion me LDK-në në Istog. Qëndrimi i jonë është Jo dhe jemi opozitë”, deklaroi Dreshaj.
Ndërkohë PDK-ja ka pranuar se po diskuton me LDK-në dhe me kryetarin e ri të Istogut për mundësinë e krijimit të koalicionit.
“Ofertën e PDK-së për koalicion ia kemi dorëzuar LDK-së para balotazhit dhe atë e ka kryetari përpara. Nëse dëshiron me shqyrtu, me analizu e me ec përpara për katër vjetët e ardhshme, e ka atë. Ne nuk ndryshojmë qëndrimin tonë sa i përket kërkesës së kushteve tona për koalicion. Ne kemi kërkuar pozitën e nënkryetarit të Komunës ose pozitën e kryesuesit të Kuvendit si dhe tri drejtori komunale. Ndër tri drejtori nuk shkon hiç. Cilat Drejtori diskutohen pastaj”, ka thënë Arben Kabashi, këshilltar i PDK-së.