Arbëri

LDK-ja në Gjilan vendos ta votojë buxhetin

Lutfi Haziri - LDK

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan ka thënë se do ta votojë buxhetin e Komunës për vitin 2025. 

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, në një konferencë për media të martën ka thënë se do ta votojnë buxhetin për “qytetarët, punëtorët shëndetësorë e arsimtarët”. 

“Gjilani është qytet i demokracisë, ka qenë gjithmonë i tillë dhe ata që mendojnë se mund të veprojnë ndryshe, gabohen rëndë. Në e duam Gjilanin më shumë se partinë dhe të enjten miratojmë buxhetin për qytetarët, punëtorët shëndetësorë e arsimtarët”, tha Haziri. 

Komuna e Gjilanit është e vetmja që nuk ka miratuar buxhetin dhe ka kohë ta bëjë këtë vetëm deri më 1 mars, e në të kundërtën mund të organizohen zgjedhje të parakohshme për Kuvendin Komunal.

Përfaqësues të pushtetit qeverisës dhe të opozitës në Gjilan të enjten e javës së kaluar janë takuar me qëllim për t’i tejkaluar pengesat që kanë bërë që buxheti i Komunës për vitin 2025 të mos miratohet ende.

Në mungesë kuorumi, të martën sërish dështoi të mbahet seanca urgjente e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, e ftuar nga kryetari Alban Hyseni për ta votuar buxhetin e vitit 2025.

Në seancë s’morën pjesë asamblistë të PDK-së e LDK-së.  Hyseni ka thirrur mbledhje tjetër të mërkurën.