Arbëri

LDK-ja në Ferizaj akuzon ekzekutivin për falsifikim të koordinatave gjeodezike në një pronë publike në Zaskok

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj nëpërmjet një konference për media të martën, ka akuzuar qeverisjen lokale “për keqpërdorim me prona publike duke i këmbyer ato me prona private pa procedura të Kuvendit dhe duke bërë falsifikime të koordinatave gjeodezike”.

Sipas LDK-së, bëhet fjalë për pronën komunale 473/3 në fshatin Zaskok e cila ishte bërë me dokumente si pronë private duke i ndërruar pikat gjeodezike me një pronë tjetër. Sipas subjektit të LDK-së, drejtori komunal për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi Sabdi Murseli dhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, prej disa muajsh nuk u janë përgjigjur pyetjeve të tyre se si është bërë ky falsifikim i pikave gjeodezike, madje përgjigje nuk kanë marrë as në takime fizike.

Pas reagimeve të kuvendarëve në mbledhjen e fundit të Kuvendit, koordinatat e kësaj prone ishin përmirësuar në sistemin gjeodezik. Flamur Istrefi, shef i grupit të kuvendarëve të LDK-së në këtë konferencë për media, ka kërkua nga prokuroria dhe organet tjera që ta hetojnë rastin e pronës komunale 473/3 ne fshatin Zaskok, pasi dyshohet për falsifikim të dokumenteve dhe koordinatave gjeodezike.

“Pushteti komunal i Ferizajt, që nga fillimi i këtij mandati, një nga prioritetet kryesore e ka pasur këmbimin e pronës komunale. Do të ishte normale sikur ky këmbim të behej për interes të përgjithshëm dhe të ishte në funksion të qytetarëve, por për fat të keq ka ndodh e kundërta: ky pushtet, ka tentuar që të jetë në shërbim dhe në interes të personave të caktuar. Vlen te theksohet, se që në fillim të mandatit, komuna është marr me këmbime të pronave komunale që kanë qenë të destinuara për interes publik, si: Parqe, rruge dhe varre, te cilat janë tentuar të këmbehen me prona të personave fizik , të cilët, pronat e tyre i kanë pasur të një tjetër kategorie si: Ara të ndryshme dhe jo në të njëjtën zone ashtu siç është përcaktuar me ligj. Ndërkaq, në rastin e fshatit Zaskok, presioni i madh politik dhe qytetar bëri që kjo gjë të mos ndodhte dhe prona të kthehet përsëri në gjendjen e mëparshme si pronë publike”, ka thënë Istrefi.

Sipas tij, kuvendarët e LDK-së, vazhdimisht kanë përcjellur proceset e këmbimit të pronave, andaj në disa raste kanë parandaluar ato nëpërmjet reagimeve publike e konferenca për media.

“Pas dështimeve për të bërë këmbimin e pronave komunale që kanë qenë në interes të përgjithshëm, tashmë është bërë e zakonshme që të bëhen këmbime të pronave komunale që persona të caktuar me herët i kanë uzurpuar dhe kanë ndërtuar aty. Prandaj një gjë e tillë është e pa pranueshme. E kemi thënë edhe në kuvend, që nuk është kuvendi i komunës ai që e bën këmbimin e pronës se uzurpuar sepse kjo formë e këmbimit i legalizon ato dhe hap rruge për të tjerë persona që të uzurpojnë pronën publike në të ardhmen. Sqarojmë edhe një herë se sa i përket pronës 473/3 në fshatin Zaskok, kjo prone, qe ka qenë prone komunale, është tentuar të devijohet me falsifikime të koordinatave dhe të bëhet pronë private, por vetëm pas reagimit të kuvendarëve dhe banorëve të lokaliteteve përreth, ajo pronë tashmë është rikthyer në gjendjen e më pashme, prandaj kërkojmë nga organet e hetuesisë dhe prokurorisë të merren me këtë rast”, tha Istrefi.

Ndërkaq, kuvendari tjetër po ashtu nga ky subjekt Besim Haziri, në këtë konferencë ka thënë se vazhdimisht ka pranuar ankesa nga qytetarët lidhur me uzurpimin e pronës 473/3 dhe tjetërsimin e saj nga komuna duke tentuar t’i falsifikojnë pikat gjeodezike.

Sipas tij banorët me kohë kishin kërkuar që në këtë pronë me sipërfaqe prej rreth 30 arësh afër rrugës kryesore në fshatin Zaskok të ndërtohet një strehimore për banim social apo ndonjë projekt tjetër në interes të përgjithshëm.

“Muaj më parë kemi vërejtur persona të caktuar se në këtë pronë kanë filluar të ndërtojnë, prandaj ishim të bindur dhe të shqetësuar se ajo pronë është devijuar nga komuna. Ndërkohë jam angazhuar si kuvendar në të gjitha format për ta ndaluar një gjë të tillë. Fillimisht kam takuar drejtorin për Pronë, Kadastër e Gjeodezi në komunën e Ferizajt, dhe ai më ka thënë se pas dy javësh të kthejmë përgjigje. Pas kësaj kohe, kemi protestuar në vendin e ngjarjes, ndërkohë sëbashku me banorët kemi takuar edhe kryetarin e komunës Agim Aliun i cili ishte zotuar se brenda dy javësh do të pranon informacione për këtë pronë, por kaluan muaj të tërë dhe nuk pranuam informacion nga kryetari”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, Gjatë gjithë kësaj periudhe kohor i vetmi informacion nga ana e drejtorit të Pronës, kishte qenë se prona në fjalë është këmbyer rreth viteve të 90-ta nga një person fizik, por sipas Hazirit vendimi i atëhershëm me koordinatat e tanishme nuk përputhen me njëra tjetrën.

“Neglizhenca e treguar nga ana e drejtorit, na ka detyruar që në vazhdimësi në seancat e kuvendit të komunës ta ngrisim si çështje. Pohimet tona, për dyshim dhe për devijim të kësaj prone, nuk janë marr parasysh, dhe si pasojë e kësaj kemi pasur debate të shumta gjatë seancave te Kuvendit te komunës. Nganjëherë kemi qenë të ashpër por gjithmonë në mbështetje të Kauzës sonë”, ka thënë midis të tjerash Haziri.

Sipas tij, pas reagimeve të shumta kanë pranuar informacione jo zyrtare që prona në sistemin e kadastrit është rikthyer si pronë komunale.

Në anën tjetër me gjithë përpjekjet e KOHËS drejtori për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Sabdi Murseli, nuk i është përgjigjur pyetjeve dhe nuk është lajmëruar në telefon.

E Komuna e Ferizajt nëpërmjet një reagimi në Facebook, ka thënë se parcela në fjalë mbetet pronë e komunës.

“Për sqarim të opinionit publik, kjo pronë pra parcela 473/3 ZK Zaskok, ka qenë, mbetet e do të mbetet pronë e Komunës së Ferizajt, e cila sipas vendimit të Kuvendit të Komunës 01. Nr. 8485 të dtaës 30.11.2006, është ndarë për ndërtimin e një strehimore kolektive për banim social në Ferizaj. Në historiatin e kësaj parcele, i vetmi ndryshim që ka ndodhur është ndërrimi që është bërë në vitin 1988 sipas procesverbalit për caktimin e kompenzimit me bashkëujdi, përmes së cilës, Komuna e Ferizajt me qëllim të ndërtimit të Fabrikës së Ujit, në formë të kompenzimit i ka dhënë në këmbim, sipërfaqen prej 30 ari, personit privat, në kuadër të parcelës 473 ZK Zaskok, pra një pjesë të kësaj parcele, ndryshim që është evidentuar edhe në aparatin kadastral. Me asnjë veprim institucional, me asnjë procedurë, Komuna e Ferizajt, nga kjo periudhë nuk ka ndërmarr asnjë veprim sa i përket kësaj parcele, pra duke përfshirë edhe pretendimin e përfaqësuesve nga LDK që tentojnë të mashtrojnë opinionin publik, kinse ka pasur tentativa për ndryshim të statusit pronësor të kësaj parcele”, thuhet në sqarimin. “Të gjitha pretendimet tjera përkitazi me këtë çështje, përtej kësaj të vërtete të faktuar me akte regjistrimi pronësie e akte tjera komunale, janë tentativa për mashtrim të opinionit publik, duke u shërbyer me pretendime të pabazuara faktike e ligjore”.