Partia opozitare në Ferizaj, LDK-ja, të enjten ka realizuar një aktivitet simbolik, duke e bërë “ndarjen” e dekoratave me mbishkrime ironizuese për kryetarin dhe drejtorët e Komunës së këtij qyteti. Aktiviteti, sipas LDK-së, u nxit nga praktika që po aplikon komuna me ndarjen e dhjetëra dekoratave për përfitime politike
Asamblistë e aktivistë të Forumit Rinor të LDK-së në Ferizaj përmes një aksioni simbolik të enjten, u kanë ndarë “dekorata” me mbishkrime ironizuese drejtorëve të ekzekutivit komunal.
Aktiviteti, sipas tyre, u nxit nga praktika që po aplikon komuna, sidomos në dy muajt e fundit, duke ndarë dhjetëra dekorata për përfitime politike.
“Kryetari i Komunës, Agim Aliu, po e politizon këtë gjë si fushatë politike paraprakisht që tani dhe nuk e dimë se kur do të ndalet. Kjo është njëra nga format që e ka zgjedhur për të bërë politike, urojmë që kjo të ndalet në një të ardhme sepse nuk ka kuptim të marrin dekorata të gjithë qytetarët për punën që e ka bërë apo jo. Është bërë e frikshme të kapërcesh kah komuna, sepse tashmë dihet, se zyrtarët e komunës dalin dhe të thërrasin për një fotografi dhe pastaj del që ka bërë merita të veçanta për këtë qytet”, ka thënë Flamur Istrefi, shef i asamblistëve të LDK-së.
Në dekorata, pos titullit “Turpi i qytetit”, për secilin veç e veç ishte edhe një mbishkrim. Për shembull, kryetarit Agim Aliu i shkruante “Turpi i qytetit – mashtruesi i përvitshëm”. Pati edhe të tjera mbishkrime, si “tregtari i pronave publike” për Sabri Murselin dhe “Vuvuzeli i Agim Veliut” për Albion Sherifin.
Nga Komuna e Ferizajit nuk e kanë pritur mirë aksionin.
Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajit, në një konferencë për media pas aktivitetit të LDK-së, tha se opozitarët morën titullin “Turpi i Ferizajit”, duke shtuar se ata nuk i njohin vlerat e personave që kanë marrë dekorata nga komuna.
“A e dinë këta aksionistë se kush janë të dekoruarit, janë heronjtë, dëshmorët e kombit, janë familjet themeltare të Ferizajit, janë personalitete për kontribute të jashtëzakonshme në fushën e tyre profesionale, që duhet të mbajnë për turp aksionistët e sotëm që kaq fyeshëm tallën dhe ironizuan, këtë kontribut të personaliteteve të Ferizajit”, ka thënë Marevci.
Sipas tij, Komuna e Ferizajit asnjëherë nuk ka bërë politikë me dekorata, por ka respektuar familjet e dëshmorëve dhe personalitetet e ndryshme që lanë gjurmë në historinë e qytetit.