Arbëri

LDK-ja mohon se asamblisti i saj sulmoi Bulliqin, akuzon pushtetin për kontrabandim të seancës

tentim sulmi ndaj Shpejtim Bulliqit

Foto: TV Llapi

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë i ka mohuar pretendimet se asamblisti i kësaj partie, Ekrem Rrahmani, ta tentuar ta sulmojë kryetarin Shpejtim Bulliqi. Nëpërmjet një reagimi në Facebook, LDK-ja tha se pushteti lokal kontrabandoi seancën komunale duke kaluar pika në votim, pa diskutim e vërejtje.

Partia opozitare në këtë komunë ka shtuar se kryetari Bulliqi i tejkaloi kompetencat duke marrë udhëheqjen e seancës, e duke e ofenduar Rrahmanin me shprehjet “pis” dhe “hanë në grazhd”.

LDK-ja tutje u shpreh se kërkuan të përfaqësoheshin në Komitetin për Komunitete, por kjo u refuzua nga pushteti përmes manipulimit të votave.

“Sipas ligjit, Kryetari i Komunës merr pjesë në Kuvend vetëm kur është e nevojshme për të diskutuar çështje të caktuara ose kur ftohet nga Kuvendi. Por, Shpejtim Bulliqi, siç bën zakonisht duke shfrytëzuar një kryesues të dobët, e mori udhëheqjen e seancës në cilësinë e Kryesuesit të Kuvendit, duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke mos kontribuar aspak në krijimin e një gjuhe bashkëpunimi. Përkundrazi, ai ka qenë provokativ dhe ka kontribuar në polarizimin e debatit. Gjatë këtij debati, ai fyeu asamblistin Ekrem Rrahmani duke e quajtur ‘pis’ dhe ‘han në grazhd’, gjuhë kjo që nuk është parlamentare dhe që nuk përkon me funksionin e tij. Fatkeqësisht, ky është niveli i komunikimit që na ofron ky udhëheqës”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër, Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, ka akuzuar asamblistin e LDK-së, Ekrem Rrahmani, se ka tentuar ta sulmojë kryetarin Bulliqi.

Në media janë publikuar videoincizime ku Rrahmani i LDK-së shihet duke iu afruar Bulliqit, e më pas ndërhynë asamblistë të  tjerë.

VV-ja në Podujevë ka thënë se kryetari Bulliqi ka paraqitur rastin në polici për tentim sulmi.


VV-ja në Podujevë akuzon asamblistin e LDK-së se tentoi ta sulmonte Bulliqin

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, ka akuzuar asamblistin e LDK-së, Ekrem Rrahmani, se ka tentuar ta sulmojë kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. 

Në seancën e Kuvendit Komunal të Podujevës të enjten ka ardhur deri te një konfrontim, ku Rrahmani i është afruar Bulliqit, siç shihet ne videoincizim. Më pas ndërhyjnë asamblistët tjerë. 

VV-ja në Podujevë ka thënë se kryetari Bulliqi ka paraqitur rastin në polici për tentim sulmi. 

VV-ja ka thënë se e gjitha ndodhi pas një debati të gjatë rreth kërkesës së LDK-së prë zëvendësimin e anëtarit të Komitetit për Kumunitete, Demokrat Hodolli. 

“Këshilltari Hodollli kohë më parë e ka deklaruar daljen nga Grupi i LDK-së, po nuk ka hequr dorë edhe nga partia e tij. Duke qenë kështu, ai ka vazhduar të jetë anëtar i Komitetit për Komunitete. Por, kërkesa shumë meskine e LDK-së ishte që Hodolli të zëvendësohet me një anëtar tjetër të tyre, gjë që edhe u hodh në votim nga kryesuesi, por që nuk i mori votat e mjaftueshme.  Meqenëse dështoi propozimi i tyre, Kryetari Bulliqi për t’i dhënë zgjidhje kësaj kërkese, propozoi që për këtë çështje të kërkojnë përgjigje nga MAPL-ja se si të veprojnë rreth anëtarit të Komitetit për Komunitete. As kjo nuk u mjaftoi dhe Ekrem Rrahmani, eskaloi në fyerje ndaj Kryetarit dhe këshilltarët e LDK-së e penguan edhe rrjedhën e seancës. Ndërkohë, Ekrem Rrahmani shkoi në foltore për ta sulmuar Kryetarin Bulliqi.  Sjellja e asamblistëve të LDK-së, e veçmas e Ekrem Rrahmanit, përveç që është e papranueshme, tejkalon çdo sjellje njerëzore. Siç është parë përgjatë këtyre tre vjetëve të këtij mandati, ai të vetmin ‘argument’ e ka arrogancën, fyerjen e sjelljen prej një rrugaçi të papërmirësueshëm. Përfaqësues të tillë, nuk i bëjnë nder jo vetëm Kuvendit Komunal, por as partisë që e përfaqëson. Në Polici rastin e ka paraqitur Kryetari Bulliqi për tentim sulm fizik ndaj tij dhe presim tash që organet e rendit të ndërmarrin hapat e nevojshëm bazuar në legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin e VV-së në Podujevë. 

KOHA ka tentuar të marrë një deklaratë mbi rastin nga Rrahmani, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike.

VIDEO