Arbëri

LDK-ja me akuza rreth raportit financiar, ekzekutivi i Podujevës i mohon

Zyrtarët e LDK-së në Podujevë kanë adresuar vërejtje rreth raportit financiar gjashtëmujor të kësaj Komune.

Arjant Topanica, këshilltar komunal i LDK-së ka thënë se pushteti kundërligjshëm e ka shpenzuar buxhetin specifik për arsim dhe Qendra Kryesore të Mjeksive Familjare (QKMF) për anëtarë të ekzekutivit.

“Drejtori i Kulturës merr 800€ nga buxheti i shkollës ‘Aleksandër Xhuveni’ për udhëtime jashtë vendit, shefja e kabinetit të kryetarit merr avans 6000€ nga buxheti i QKMF-së për udhëtime jashtë vendit, punëtori i urbanizmit paguhet prapë nga buxheti i QKMF-së në vlerë 406€ si punë me kontratë mbi vepër që gjatë vitit 2022 i kanë kategorizuar si ‘shërbime intelektuale”, është shprehur Arjant Topanica.

Sipas tij, ka keqmenaxhimi të buxhetit edhe te kategoria e subvencioneve.

“Drejtoria e Bujqësisë subvencion për OJQ UNDP Kosova data e pagesës 27.02.2023 shuma 3,537€ si dhe pagesa tjetër po nga e njëjta drejtori pagesë për shoqatën ‘Qatar’ në shumën prej 6,809€ e datës së njëjtë 27.03.2023. Drejtoria Zhvillimit ekonomik ka disa pagesa te subvencionet, pagesa e datës 27.03.2023 përfitues edhe nga kjo drejtori është OJQ UNDP Kosova shuma 3,159€ shtrohet pyetja pse?”

Sipas Topanicës Drejtoria e Kulturës e ka keqpërdorur buxhetin e kategorisë së mallrave dhe shërbimeve për aktivitete kulturore në emër të shërbimeve.

“Drejtoria e Kulturës nga kategoria e kapitaleve paguan në emër të projektit trashëgimia e objekteve kulturore si pasuri jofinanciare në shumën prej 9,529€. Kjo pagesë nuk do të ishte problem sikur të ishte bërë nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve se është trashigimi kulturore që i takon si pronë private e banorëve të Fshatit Pollatë e jo objekt i trashigimisë si pronë publike. Investimet kapitale do të duhej të bëheshin vetëm në prona publike”, ka thënë ai.

“Pagesa për Shkollen ‘Ali Ajeti’ Balloc shuma prej 40,73€ e ekzekutuar nga kodi ‘përmirësim i infrastrukturës fizike të objekteve shkollore’, shtrohet pytja a është ky përmirësim apo ndërtim i ri?! Aq më keq nëse e shikojmë raportin këtë pagesë nuk e gjen askund. Pagesat në emër të Shkollës ‘Ali Hadri’ në fshatin Obrançë pagesa 167,329€ ku 27,439€ janë jashtëligjshëm pagesë në emër të një salle të edukatës fizike”, ka shtrua ai.

Topanica ka theksuar se janë bërë pagesa për projekte që nuk kanë filluar, duke e marrë shembull rastin e rrugës që planifikohet të bëhet nga rruga “Vëllezërit Frashëri” deri te magjistralja Podujevë-Prishtinë.

“Kemi kontrata më të larta se buxheti, ku kostoja e kontratave është 2,228,877€, kurse buxheti i planifikuar për pesë projekte është 1,050,000€ dhe këto kontrata nuk kanë mbulesë financiare në shumën prej 1,178,877€”, ka thënë ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i ka thënë KOHËS se të gjitha pagesat të cilat janë ekzekutuar janë kryer në bazë të procedurave të parapara me legjislacion. “Avanset e marra nuk do të thotë se janë të shpenzuara p.sh avansi i marrë prej 6 mijë euro janë shpenzuar rreth 1 mijë për udhëtim zyrtar në ShBA. Punëtori i urbanizmit është konsulent i komunës, i cili kryen shërbime për sistemin e adresave në Drejtorinë e Urbanizmit dhe meqenëse si profil nuk është i planifikuar në organogramin e komunës jemi obliguar ta rekrutojmë përmes procedurave të prokurimit për të ofruar këto shërbime”, është përgjigjur Fatri Zhitia. “UNDP dhe ‘Qatar Charity’ janë donatorë për projekte të ndryshme në Komunën e Podujevës, të cilët në formë të bashkëfinancimeve me komunën po realizojnë projekte të ndryshme dhe nuk ka të bëjë me subvencionim të organizatave në fjalë, por bashkëfinancim të projekteve”, ka deklaruar ai.

Ndërsa sa i përket akuzave për pagesën e artistëve nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve për aktivitete kulturore, Zhitia ka thënë se nuk qëndrojnë.

“Ata janë të përfshirë në listën e pagave dhe paguhen nga kjo kategori. Kurse bashkëpunëtorët e jashtëm paguhen përmes thirrjes publike duke i subvencionuar aktivitetet kulturore që do të zhvillohen. Ndërsa sa i përket pagesave për trashëgimi, ne jemi duke investuar në renovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Njëra ndër to është projekti i renovimit të shkollës së vjetër në fshatin Sfeçël, andaj si i tillë ky është projekt kapital”, ka theksuar Zhitia. “Ndërtimi i shkollës në fshatin Balloc është projekt i vitit 2020, ky projekt teknikisht ka përfunduar në fund të vitit 2022 pas afatit të pagesave dhe ekzekutimi i pagesave është bërë në vitin 2023. Sa i përket projektit për ndërtimin e rrugës ‘Vëllëzërit Frashëri’ këto mjete janë shpenzuar për pagesën e shpronësimeve nga vendimet gjyqësore që kemi pranuar dhe në bazë të UA të Ministrisë së Financave nuk ka kod buxhetor për shpronësim dhe pagesa duhet të bëhet nga mjetet e projektit ku janë planifikuar për ndërtim”, ka theksuar ai.

Zhitia ka thënë se disa prej projekteve janë kontrata dyvjeçare që pritet të përfundojnë në vitin 2024, ku për to është bërë planifikimi i mjeteve të tjera në buxhetin e vitit të ardhshëm.