Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë po e kontestojnë ligjshmërinë e tri vendimeve të Kuvendit Komunal për shtimin e mjeteve për tri projekte të subvencionimit në bujqësi.
Sipas tyre, për këto çështje duhet ndjekur tjera procedura dhe këto vendime duhet t’i marrë kryetari i Komunës. Këshilltari i kësaj partie, Naim Çunaku, ka thënë se propozim-vendimet për shtimin e buxhetit, me kod të ri, për subvencione për sera, mëshqerra dhe mekanizëm bujqësor, si praktikë e re e ndërhyrjes në buxhet, nuk ka bazë ligjore.
“Pas konsultimeve që i kemi pas edhe me njerëz të lëmisë në, baza ligjore nuk e shohim që e mundëson një aktivitet të tillë çfarë është kërkuar. Ky aktivitet bën ndërhyrje, gjegjësisht e rrit buxhetin e komunës. Vendimet janë marrë duke u thirr në nenin 13, pika 1.1 të Rregullores së MAPL-së për publikimin e akteve të Komunës, e kjo sipas neve nuk ka të bëjë asgjë me buxhetin. E kemi Ligjin e buxhetit dhe ta marrësh për bazë një Rregullroe të MAPL-së për me procedua këso vendimesh, për mendimin e grupit tonë nuk është në rregull”, ka theksuar Naim Çunaku.
Sipas tij, për këto vendime duhet të ndiqen procedura tjera.
“Në nenin 14 të së njëjtës Rregullore, gjatë hartimit të projekt akteve komunale duhet të përcillen këta hapa: hartimi i projekt akit fillestar, konsultimin e brendshmëm të autoriteteve komunale, vlerësimin e ndikimit financiar të aktit të propozuar, vlerësimin e projektit pas konsultimeve, konsultimi publik parasheh forma shtesë të konsultimeve me shkrim dhe elektronik në intervista, panele dhe forma tjera, si publikimi i projketit, projekt-aktit në tabelën e shpalljeve, ueb-faqen e Komunës, gazetë, takim me grupet e interesit dhe takime me qytetarë. Finalizimi i projekt aktit pas marrjes së komenteve nga kosnultimi publik, miratimi në kuvend”, është shprehur këshilltari i LDK-së.
“Do të thotë, pasi t’i kalon këto faza duhet të vjen në Kuvend për miratim. A e kanë bërë këtë? Jo. A janë thirrë në këtë? Po. S’di qysh mundesh me u thirrë në diçka që thotë diçka tjetër. Pas Rregullores së MAPL-së, janë thirrë në Ligjin për vetqeverisje lokale. Sipas këtij Ligji kryetari i komunës ka të drejtë në miratimin e akteve dhe të ndërmarrin masa për zbatimin e tyre. A e ka bërë këtë propozim kryretari? Jo”.
Në ditën e miratimit të këtyre vendimeve, drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka thënë se tri propozime për shtim të buxhetit në fushën e bujqësisë, si furnizimi me sera, furnizim me mëshqerra si dhe furnizimi me mekanizëm bujqësor, janë prokuruar nga Komuna e Podujevës, por participojnë edhe fermerët përfitues me një shumë buxhetore prej 30 për qind të shumës së projektit.
“Asnjëherë këto participime nuk kanë kaluar përmes Asamblesë Komunale. Janë ndjekur procedurat në bazë të Rregullores për subvencione, është bërë particpimi, është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, është dërguar në Minstrinë e Financave dhe Ministria e Financave i ka alokuar mjetet në buxhetin e Komunës së Podujevës, ku është bërë pagesa e mjeteve operatorit përfitues të këtyre projekteve me qytetarë”, ka thënë Fatlum Osmani.
“Mirëpo, këtë vit Ministria e Financave na ka obliguar që pjesën e particpimit të buxhetit që është nga fermerët përfitues të kalon përmes Asablesë Komunale. Shuma e participimit 30 për qind, në këtë rast për mëshqerra është 60 mijë e 588 euro, për sera 36 mijë e 236.8 euro, edhe 36 mijë e 141 euro është për mekanizëm bujqësor”.
Ndërkohë, Gazmend Islami nga OBKD, ka kërkuar që për rastet sociale të lirohen nga participimi, pasi që për mëshqerrat mund të kërkohen 500 ose 600 euro participim dhe ata nuk kanë mundësi ta paguajnë këtë shumë.
“A lejon ligji që në këto raste të rënda që nuk kanë asnjë mundësi me me u ba participimi, që të lirohet particpimi i kësaj kategorie. Edhe te serat me sa kam dëgjua është shtyrë afat për aplikim se nuk ka pas të interesuar. Po më duket si projekt i dështuar”, ka thënë ai.
Por, drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka thënë se në thirrjen publike kur është bërë nuk është paraparë lirimi nga particpimi.
“Të gjithë përfituesit janë të obliguar të paguajnë. Meqë nuk është paraparë në fillim, nuk kemi të drejtë me lirua askënd”, ka theksuar ai.
Këto vendime janë miratuar me shumicë votash.