Kuvendarët e LDK-së në Podujevë kanë kërkuar nga ekzekutivi komunal që të marrë përsipër pagesën e fermerëve për blerjen e mekanizimit bujqësor që derivon nga marrëveshja e bashkëpunimit të Komunës me TIKA-n turke.
Në bazë të kësaj marrëveshje “Furnizimi i fermerëve me mekanizëm bujqësor” TIKA participon me 55 për qind të mjeteve, Komuna me 30 dhe fermerët përfitues me 15 për qind të vlerës së projektit. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka kërkuar që të votohet propozimvendimi që ka për qëllim shtimin e buxhetit dhe krijimin e kodit të ri, në mënyrë që të realizohet ky projekt.
“Komuna e Podujevës ka të nënshkruar një marrëveshje me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për bashkëfinancim të një projekti në fushën e mekanizmit bujqësor, ku pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe participimi i fermerëve me 15 për qind të vlerës, ku vlera totale e kësaj marrëveshje e shumës prej 15 për qind të projektit është 5 mijë e 925 euro. Fermerët i kanë kryer participimet e tyre, mirëpo që të bartet kjo shumë buxhetore nga Ministria e Financave tash na nevojitet edhe ky vendim i Kuvendit Komunal”, ka theksuar Fatlum Osmani.
Ndërkohë, zyrtarët e LDK-së kanë kërkuar që edhe shumën prej 15 për qind të vlerës ta marrë
përsipër Komuna e Podujevës.
“Shtimin e buxhetit dhe kodit të ri ne e mbështesim si Grup. Por, ajo që ne nuk pajtohemi është pjesa e participimit të qytetarëve. Meqenëse Agjencia turke mbulon 55 për qind të shumës, Komuna merr pjesë me vetëm 30 për qind, kurse ju keni kërkuar që qytetarët të participojnë me 15 për qind të shumës totale. Në emër të Grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkojmë që komuna të mbulojë edhe pjesën tjetër të participimit të qytetarëve në mënyrë që subvencionet të jenë të plota”, ka thënë Donjeta Sheqiri nga LDK.
Por drejtori Osmani ka thënë se participimi i fermerëve shpeshherë është edhe kërkesë e organizatave të cilat ndihmojnë projekte të tilla.
“Është pjesë e marrëveshjes e cila është e nënshkruar me Agjencinë turke që edhe fermerët të marrin pjesë në participim. Edhe ka shumë organizata që e kanë pjesë të politikë së tyre që nuk bëhen pjesë e bashkëfinacimit pa marrë pjesë edhe fermerët të cilët furnizohen me mekanizëm bujqësor. Do të thotë janë shumë shpesh edhe kritere të organizatave që është e domosdoshme me kanë edhe participimi i atyre që janë përfitues të subvencioneve”, ka thënë ai.
Me këtë nuk është pajtuar këshilltari i LDK-së, Naim Çunaku. Ai ka kërkuar që të zvogëlohet numri i përfituesve nëse Komuna nuk ka mjete për të mbuluar shumën me të cilën ngarkohen fermerët.
“Po na del që një donator në një formë ka shpreh dëshirë që të implementojë një projekt për shtim të mekanizmi bujqësor, por ajo që po dëgjoj nga drejtori që ajo ka vendos kushte. Ne që prej fillimi kemi mbrojt edhe sot edhe nesër që qytetarët të lirohen nëse mendojmë ta ndihmojmë në këtë rast bujqësinë. Dhe nëse ne vazhdojmë me këtë participim kjo në një formë po dëmton ato ekonomi bujqësore. Nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, atëherë të zvogëlohet numri i përfituesve por ata që e marrin të mos kenë ngarkesa të participimit”, ka deklaruar ai.
Kurse Burim Hasani nga AAK-ja ka kërkuar që të bëhet dallimi ndërmjet rasteve sociale dhe fermerëve.
“Është mirë me ba një dallim se shumica e Asamblesë apo qytetarëve po i bëjnë disa gabime, faktikisht nuk mujn me i ba disa dallime mes Drejtorisë së Bujqësisë dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale. Drejtoria për Mirëqenie Sociale i ndihmon nevojtarët, Drejtoria për Bujqësi i ndihmon bujqit, blegtorët, fermerët. Duke pas parasysh këtë porpozimvendim për shtimin e odit të ri buxhetor, ky është një projekt i mirë të cilin e përfitojnë bujqit”.
Propozimvendimin e ka mbështetur edhe Grupi i LVV-së.
Megjithatë, këshilltari Hasani dhe Çunaku kanë kërkuar nga ekzekutivi që të mbikëqyren këto subvencione, pasi sipas tyre, në shumë raste ato po keqpërdoren. Gjithashtu është kërkuar që të mos u jepen subvencione as familjarëve të fermerëve përfitues dhe po ashtu jo atyre që regjistrohen si fermerë pak ditë para aplikimit.
Propozimvendimi është miratuar nga të gjithë kuvendarët pjesëmarrës, me përjashtim të Naim Çunakut nga LDK, i cili ka votuar kundër.