Nuk do të ketë takim mes krerëve të Vetëvendosjes dhe LDK-së, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, pa certifikim të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Këtë qëndrim e ka dhënë Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, raporton KTV.
Ndonëse ende nuk janë pajtuar për postet ministrore, Hoti ka thënë se marrëveshja për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen është afër dhe se finalizimi i saj do të arrihet me vetëm një takim të liderëve.
Sipas LDK-së, duhet të ketë pajtueshmëri për të gjitha postet, duke përfshirë edhe atë të presidentit.
Por, Vetëvendosje nuk pajtohet që posti i presidentit të jetë pjesë e marrëveshjes së koalicionit.
Mospajtimet për postin e presidentit, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, i cilëson si pikë ndarëse për arritjen e marrëveshjes qeverisëse.
Më 7 nëntor grupet punuese të të dyja partive zhvilluan takimin e fundit, por që takimet në nivel të kryetarëve të partive kanë ngecur.