Për mostransparencë në procesin e dialogut me Serbinë është kritikuar qeveria nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Sipas kësaj partie, procesi i zhvilluar në katër vjetët e fundit ka qenë më jotransparenti në historinë e tij dhe marrëveshjet e arritura në këtë mandat të qeverisë janë të dëmshme për vendit. Në Qeveri thanë se janë treguar transparentë dhe u dërguan ftesa partive opozitare për takime për të diskutuar për dialogun.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë për mostransparencë në procesin e dialogut me Serbinë.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, thotë se procesi i zhvilluar në katër vjetët e fundit ka qenë më jotransparenti në historinë e tij.
Duke iu referuar Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai thekson se njëjta është e dëmshme për vendin.
“Mosgatishmëri për të ardhur për të raportuar, mosgatishmëri për të raportuar në komisione parlamentare, madje mosgatishmëri edhe për të dhënë deklarata publike për një proces delikat dhe kompleks. Në fund, përfunduam me dy marrëveshje, një në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, që të dyja janë ndër marrëveshjet më të dëmshme që Kosova ka pranuar në historinë vet në negociata... Përfshirë edhe një draftstatut, i cili është krejtësisht i papranueshëm për Kosovën dolën si rezultat i këtyre negociatave të dëmshme që ka bërë kryeministri me asistentin e tij që është zëvendëskryeministër i vendit”, ka thënë Selmanaj.
Selmanaj shprehet pesimist edhe për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Por në Qeveri thanë se opozita duhet të bëjë dallimin mes konfidencialitetit të procesit të dialogut dhe transparencës gjatë procesit të dialogut.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se ekzekutivi është treguar transparent duke u dërguar ftesa për takime partive opozitare.
“Pas çdo takimi, si në nivel të lartë e po ashtu edhe në nivel të kryenegociatorëve, kemi pasur konferencë për media menjëherë pas takimeve të zhvilluara. Për më tepër, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi u është përgjigjur ftesave të komisionit parlamentar të linjës, me përjashtim të rasteve kur ka qenë jashtë vendit apo kur ia ka pamundësuar agjenda e tij. Kemi organizuar dhe dërguar ftesa për takime edhe me partitë opozitare, por jo të gjitha janë përgjigjur pozitivisht”, ka shtuar Kryeziu.
Takimi i fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është mbajtur para dy javësh. Ky takim është zhvilluar në nivel të kryenegociatorëve.
Në këtë takim trepalësh, palët janë dakorduar për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për të zhdukurit.
Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023 për Deklaratën për Personat e Zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.