Kushtetutshmëria e Qeverisë Kurti II mund të sfidohet që në ditët e para të saj.
Mundësia që LDK-ja ta dërgojë Albin Kurtin në Gjykatën Kushtetuese është lënë e hapur nga kjo parti.
Të hënën, derisa shprehte dyshime për legjitimitetin e dekretit përmes së cilit Kurti u mandatua për kryeministër, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kontestimin eventual të tij do ta shqyrtojnë më vonë.
Megjithatë, sipas juristit Kushtrim Palushi, Kurtit nuk i ndalohet që të jetë kryeministër.
“Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton asnjë kufizim të tillë për kandidatin për kryeministër dhe për ministrat që janë pjesë e qeverisë. Prandaj do të jetë interesante të shohim se çfarë argumente kushtetuese do të ngritë Lidhja Demokratike apo cilado prej partive politike opozitare”, ka thënë Palushi.
Por vlerësim tjetër ka ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani.
Ai thotë se meqë Gjykata përmes aktgjykimit ia ndaloi Kurtit garën për deputet, ky institucion, sipas tij, nuk mund të veprojë ndryshe për pozitën e kryeministrit.
“Nëse rasti, megjithatë, përfundon në Gjykatë Kushtetuese, atëherë ajo e ka të pamundur të vendosë ndryshe, sepse ia ka lidhur duart vetes me një vendim krejt të çuditshëm dhe pa asnjë logjikë profesionale”, ka thënë Hasani.
e re ka paralajmëruar ta dërgojë në Kushtetuese edhe Lista Serbe, e cila pretendon se Kurti shkeli Kushtetutën kur komunitetit serb ia ndau vetëm një ministri.
Mirëpo profesori i së drejtës kushtetuese, Visar Morina, nuk sheh elemente të tilla, pasi thotë se vendimi i Kuvendit për formimin e Qeverisë ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën.
“Gjuha kushtetuese në këtë rast është e pastër. I referohet asaj që në rast se eventualisht përbërja e qeverisë shkon përtej 12 ministrive, atëherë një resor ministror i garantuar për përfaqësim të njërit prej komuniteteve joshumicë në Kosovë, dhe asesi shprehimisht nuk është fjala domosdoshmërisht për komunitetin serb në një rast të tillë”, është shprehur Morina.
Lëvizja Vetëvendosje i ka thënë KOHËS se dispozitat kushtetuese që përcaktojnë përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në nivel qeveritar janë shumë të qarta për partinë.
“Për neve dhe juristët dispozitat kushtetuese që përcaktojnë përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në nivel të kabinetit qeveritar janë shumë të qarta, dhe në bazë të tyre kemi vepruar”, ka thënë në një përgjigje nga VV-ja.
Kurse zyrtarët e Listës Serbe nuk kanë kthyer përgjigje gjatë të martës.
Vendimi për zgjedhjen e Qeverisë mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese brenda afatit prej 8 ditësh.