Arbëri

LDK-ja dorëzon në Kushtetuese Ligjin për caktimin e çmimeve tavan

Deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, e kanë dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Deputeti Driton Selmanaj, ka theksuar se vlerësojnë që Ligji një tërësinë e tij është kundërkushtetues.

“Vlerësimi ynë është se në tërësinë e tij ky dokument ose kjo nismë legjislative është antikushtetues, ne nuk e kundërshtojmë vetëm në nene të caktuar por në tërësinë e ve, sepse jemi të bindur që kjo iniciativë paraqet një ndërhyrje arbitrare në vlerat e ekonomisë së tregut”, është shprehur Selmanaj.

Ai e ka lutur presidenten, Vjosa Osmani, që të mos e nënshkruaj Ligjin, derisa ka bërë të ditur se kanë kërkuar që të Gjykata Kushtetuese të vendos masë të përkohshme ndaj Ligjit.

“Kemi kërkuar që të vendoset edhe masa e përkohshme në mënyrë që të mos ketë fare efekt, të mos nis së zbatuari, pasi nëse fillon zbatimi i tij mund të shkaktojë çrregullime masive në ofertat në treg, dhe si rezultat mund të vijë falimentimi i shumë tregtarëve të vegjël dhe të mesëm në Kosovë”, ka deklaruar Selmanaj.

Ky ligj në Kuvend është miratuar më 8 nëntor dhe me të parashihet vendosja e çmimeve tavan tek produktet esenciale, në raste të destabilizimit në treg.