Arbëri

LDK-ja, disa orë diskutime për ta nominuar me unanimitet Osmanin për kryeministre, e Hazirin në krye të fushatës

Isa Mustafa ia ka zgjatur dorën dhe e ka përqafuar Vjosa Osmanin, kandidaten për kryeministre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nën duartrokitje, Osmani ka shtrënguar duart edhe me kundër-kandidatin e saj për këtë pozitë, kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.

Kandidatura e parë për një grua nga një parti e madhe, u zyrtarizua në mbledhjen e dytë të Kryesisë së re të LDK-së, dhe për këtë, kryetari Mustafa tha të ketë pasur unanimitet.

Ndërsa Osmani pas nominimit, tha se është e nderuar me besimin që ia ka dhënë partia, duke i falënderuar edhe aktivistët për pritjen.

Ajo tha se do të jetë zëri i secilit qytetar, sidomos i grave.

Kundër-kandidatit të Osmanit, Lutfi Hazirit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, bëri të ditur se ia ka deleguar kompetencat e tij rreth organizmit të fushatës.

I pyetur për çështjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, nga udhëheqës të kësaj partie u tha të mos ketë ende rezultate konkrete.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku edhe pritet të konfirmohet kandidatura e Osmanit, është paralajmëruar për të martën.