Të rinjtë nga Dega e LDK-së në Prizren kanë shprehur shqetësimin lidhur me punësimet në arsim përmes një aksioni simbolik, me ç’rast kanë akuzuar pushtetarët lokalë për shitjen e vendeve të punës. Drejtuesit e dikasterit të arsimit kanë kërkuar ballafaqim me fakte duke i quajtur spekulime akuzat
Forumi i Rinisë i Degës së LDK-së në Prizren përmes një aksioni simbolik, të hënën, ka akuzuar udhëheqësit komunalë për shitjen e vendeve të punës në sektorin e arsimit.
Astrit Temaj nga Forumi i Rinisë së LDK-së, ka theksuar se bazuar në shqetësimin e deponuar në organet e rendit, një barnatore ka shërbyer si pikë që të kryhen këto shitje të vendeve të punës dhe se për këtë arsye është vendosur që Komuna të quhet simbolikisht “ShaqaFarm”.
Sipas tij, produkti që blihet për 7 mijë euro quhet “Shaqamicin”, i cili zgjidh në kohë rekorde problemet e punësimit.
“Për neve kjo është e papranueshme dhe ftojmë organet e rendit që këto shqetësime t’i zbardhin sa më parë dhe ftojmë qytetarët që mos të bëhen pjesë e këtyre abuzimeve, sepse meritokracia nuk blihet dhe sekserët dhe kriminelët nuk kanë vend në komunën tonë”, ka thënë Temaj.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj, i ka hedhur poshtë këto pretendime. Ajo ka shprehur keqardhje që të rinjtë e LDK-së janë vënë në lajthitje për këtë çështje dhe ka kërkuar që ballafaqimi të ndodhë me fakte dhe jo me spekulime.
i siguroj të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit se të gjitha procedurat janë zhvilluar sipas ligjeve dhe akteve nënligjore. Dhe, propagandat e tilla dhe shpifësit do të ballafaqohen me ligjin, këtë e kam thënë me herët dhe e them prapë. Por, në qoftë se ndodh e kundërta dhe kanë fakte, faktet duhet të deponohen aty ku e kanë vendin në organet e drejtësisë”, ka thënë Veselaj-Gutaj.
Depolitizimi dhe punësimet mbi baza të meritokracisë në sektorin e arsimit kanë qenë zotimet e kryetarit Shaqir Totaj gjatë fushatës paraelektorale. Por, gjatë muajve të shkuar opozitarët kanë hedhur dyshime, sidomos rreth përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave.