Arbëri

LDK-ja akuzon Bulliqin për punën njëvjeçare, ai përmend sukseset

Raportimi në Kuvendin Komunal i kryetarit të Podujevës për punën njëvjeçare të qeverisjes së tij u përcoll të premten me akuza e kundërakuza. Përderisa kryetari Shpejtim Bulliqi i përmendi si suksese projektet e realizuara gjatë vitit të shkuar, këshilltarët opozitarë ia numëruan punësimet partiake mes dështimeve të qeverisjes

Me akuza e kundërakuza është përcjellë raportimi në Kuvendin Komunal i kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për punën njëvjeçare të qeverisjes së tij.

Përderisa Bulliqi i numëroi projektet e realizuara nëpër drejtori, kuvendarët nga radhët e Lidhjes Demokratike i adresuan akuza për punësime partiake, keqpërdorime e shkelje ligjore gjatë vitit 2022.

“Në pushtet erdhën me rrena e mashtrime, duke proklamuar qeverisje të mirë, të pakorruptuar, pa nepotizëm, pa punësime partiake. Çka morën qytetarët për një vit në pushtet e keni parë të gjithë. Po i përmend vetëm disa prej tyre. Me të marrë pushtetin filloi fushatën e egër për spastrimin e administratës komunale duke përdorur metodat më të errëta, si presionin, frikësimin e deri te kërcënimet fizike për largim nga puna”, tha Valon Demolli, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së.

Akuzave për punësime partiake Bulliqi iu përgjigj me kundërakuzë ndaj LDK-së.

“S’kemi familjarë. Nëse thoni partiake, djem më së paku keni të drejtë ju me akuzua për partiake. Nja 260 a sa i kam në komunë, nja 240 janë të LDK-së, bile me libreza. A e keni parë sa herë të keni tubime sikur delet krejt vijnë në tubime tuaja atje. Unë po ju kallxoj. Jo, qysh nuk ka pasë Vetëvendosje. Prej 2006 ka pasë Vetëvendosje”, u shpreh Bulliqi.

Kundërshtime këshilltarët e LDK-së patën edhe rreth sukseseve të numëruara nga Bulliqi për projektet në infrastrukturë, investimet në shkolla, në shëndetësi, kulturë e subvencione në bujqësi.

“Ja m’ka nxanë Ramazani, ja po jetoj një tjetër qytet”, deklaroi Ekrem Rrahmani, këshilltar komunal i LDK-së.

“Ma thoni një projekt që ka qenë veç në interes të aktivistëve të Vetëvendosjes. Veç një. Madje, madje, që edhe ndoshta kur ka qenë shumica LDK janë shkua projektet. Po s’është me rëndësi ku është. Nuk është me rëndësi qytetari cilës parti i përket. Me rëndësi është qytetari me marrë fonde, me marrë ndihma, me marrë projekte, në çfarëdo forme qoftë”, u shpreh shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së, Haki Rudari.

E Gazmend Islami nga Organizata e Ballit Kombëtar Demokrat shprehu brengën e migrimit të qytetarëve të Podujevës, për të cilët tha se pushteti e opozita duhet të bëhen bashkë në emër të luftimit të shkeljeve.