Arbëri

LDK: 100 eurot nuk ndihmojnë qytetarët, por tregtarët

Hykmete Bajrami në konferencë për shtyp

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se pako prej 100 milionë euro e ndarë nga Qeveria në ndihmë të qytetarëve, do t’iu mundësojë tregtarëve t’i mbajnë çmimet e larta.

Përmes një konference për shtyp të mërkurën, Bajrami ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë në gjendje më të vështirë e më të pashpresë se sa tani.

“Viti 2022 në botë është parë si vit i adoptimit nga pandemia, por në Kosovë gjendja është edhe më e vështirë”, ka thënë ajo.

Bajrami tutje ka thënë se të gjitha produktet bazike kanë shënuar rritje, ndërsa pagat kanë mbetura po të njëjta.

Deputetja e LDK-së madje akuzoi “Qeverinë e 51 përqindëshit” se po i lë institucionet e bllokuara, për mosmbështetjen e themelimit të Komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike.

“Nuk do të marrim pjesë në asnjë nismë legjislative për shkak se na u është mohuar një e drejtë e vetme si opozitë për komisionin hetimor”, ka deklaruar Bajrami.

Përmes një pako financiare, Qeveria do t'i ndihmojë me nga 100 euro punëtorët e sektorit privat dhe publik, ata që përfitojnë nga skemat sociale, si dhe pensionistët.