Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se pikëkalimet kufitare në Bërnjak e Merdar, që ishin të mbyllura që prej mbrëmjes së të premtes, janë hapur pasi janë larguar bllokadat në territorin e Serbisë. Kalimi i qytetarëve përmes këtyre dy pikave ka qenë i pamundur të shtunën deri në orën pesë të pasdites. Bllokimin e kufijve, presidentja Osmani e ka cilësuar si përpjekje për ta destabilizuar Kosovën
As për 24 orë të plota nuk qenë të mbyllura Bërnjaku e Merdari. Protestuesit e maskuar e bllokuan qarkullimin te pikat kufitare në territorin e Serbisë të premten pas orës 18. Policia e Kosovës nuk lejoi qarkullimin e automjeteve në drejtim të pikave kufitare në territorin e Kosovës deri në orën 17 të së shtunës. Pasi serbët hoqën bllokadat në Serbi dhe këtë lajm e mori Ministria e Brendshme e Kosovës, ajo mori vendim për hapjen e rrugës.
Deri në këtë vendim, gjatë të shtunës, veturat që mësynin kalimin në Serbi përmes pikës kufitare në Bërnjak, ndaloheshin në postbllokun e Policisë që gjendej disa metra para kufirit. Një autoblindë policie në njërin shirit të rrugës, e policë të njësive speciale në shiritin tjetër, siguronin që të mos lejohen automjetet t’u afrohen kabinave kufitare.
E ata që prej territorit të Serbisë tentonin të hynin në Kosovë nëpërmjet kësaj pike, lejoheshin nga policët serbë, por me të kaluar në pjesën e Kosovës ndaloheshin nga policët kufitarë, të cilët zbatonin vendimin e MPB-së të së premtes mbrëma për mbylljen e përkohshme të vendkalimit. Vendimi për mbyllje u mor rreth orës 21:00 dhe, sipas MPB-së, u bë për shkaqe sigurie, pasi një numër serbësh, kryesisht të maskuar, u mblodhën në pjesën e Serbisë për t’i bllokuar rrugët që lidhen me kufirin e Kosovës. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këta persona të maskuar bllokuan e kthyen prapa qytetarët shqiptarë që ishin të pajisur me dokumente të Kosovës. Për të njëjtat arsye si në Bërnjak, kufiri qëndroi i mbyllur edhe në Merdar.
Prej të premtes rreth orës 24:00, aty është pamundësuar qarkullimi i veturave nga Policia e Kosovës dhe secili automjet që tentonte të hynte përmes kësaj pike kthehej prapa nga Policia. Por hyrjen nga Merdari për në Kosovë nuk e lejonte as policia serbe. Në këtë pikë kalimi për policët shqiptarë kishte më shumë punë sesa në Bërnjak, meqë qarkullimi ishte më i madh dhe duhej që t’i njoftonin qytetarët veç e veç, se për çfarë arsyesh nuk u lejohej kalimi. Në bazë të targave të veturave ata që donin ta kalonin kufirin ishin kryesisht nga Serbia, por ka pasur edhe nga Maqedonia e Veriut, Rumania, e edhe bashkatdhetarë nga vende të tjera të Evropës.
Këto pika kufitare qëndruan të mbyllura deri të shtunën në orën 17:00 kur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se s’ka më arsye që ato të mos hapen.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdar dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës sonë”, ka deklaruar Sveçla.
Rreth situatës së krijuar nga bllokimi i pikave kufitare është deklaruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se qëllimi është që të destabilizohet Kosova.
“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjes e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vjet, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë. Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë që donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë”, ka deklaruar Osmani.
Për situatën e krijuar, ajo ka kërkuar reagim edhe nga faktori ndërkombëtar.
“I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, ka thënë presidentja Osmani.
Bllokadat e serbëve që nisën të premten pas orës 18 në pikë kalimet kufitare Bërnjak dhe Merdar, të organizuara nga Këshilli Organizativ për Bllokada i Serbisë, erdhën si përgjigje e tyre ndaj aksionit të Policisë për mbylljen e 5 zyrave të strukturave paralele të Serbisë që operonin në veri të Kosovës. Nën dyshimet se lëshonin dokumente të falsifikuara, Policia mbylli Zyrën e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komunën paralele të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin-Potokut dhe atë të Leposaviqit.