Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e pati bërë njoftimin për nisjen për herë të parë të ofrimit të shërbimit të laparoskopisë në Klinikën e Urologjisë, gjatë marsit të këtij viti, me anë të Facebookut. Prej asaj kohe, mjekë të QKUK-së kanë kryer vetëm katër intervenime të tilla, e asnjëherë pa mbikëqyrjen e stafit mjekësor nga spitale të shteteve të tjera. E ofrimi i këtij shërbimi po për herë të parë, ishte promovuar edhe në marsin e 2020-s
23 marsin e sivjetmë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e dha njoftimin në Facebook se shërbimi i laparoskopisë ka nisur të ofrohet në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar.
Për këtë, ai asokohe e pati përgëzuar Klinikën e Urologjisë, për atë që e quajti “fillim i shërbimit të ri”.
“Jam duke e përsëritur në çdo takim me profesionistët shëndetësorë se jam në dispozicionin tuaj dhe ju lutem mos më kurseni për çkado që keni nevojë për t’i përmirësuar shërbimet shëndetësore. Ju përgëzoj për shërbimin e ri që keni filluar dhe ju ftoj që bashkërisht të punojmë për zgjerimin e shërbimeve të tjera. Si ministër do të jem me ju që të rrisim cilësinë e shërbimeve dhe zgjerojmë listën e shërbimeve në sektorin publik”, pati thënë ministri Vitia më 23 mars 2023.
Por që prej marsit, ky shërbim është ofruar vetëm edhe dy herë të tjera në këtë klinikë. Siç konfirmuan në SHSKUK, në mars u bënë dy ndërhyrje e në prill edhe dy, me mbështetjen e një qendre spitalore në Turqi.
Petrit Nuraj, drejtori i Klinikës së Urologjisë, pranon se këto janë ndërhyrjet e vetmet me laparoskopi që u kryen në SHSKUK.
“Në Klinikën e Urologjisë, më datë 7.3.2023, janë kryer 2 operime laparaskopike (cista të veshkës) nga kolegët tanë me mbështetjen e kolegut nga Klinika e Urologjisë në Shkup. Kurse, më datë 26. 4.2023 është mbajtur punëtoria laparoskopike, ku janë realizuar dy operime laparoskopike nga kolegët tanë, me mbështetje nga kolegët nga Turqia”, ka thënë drejtori i Klinikës së Urologjisë, Petrit Nuraj.
Ai thotë se dy mjekë të Klinikës iu nënshtruan trajnimit në Turqi për punën në laparoskopi, porse nuk i tregoi arsyet përse nuk po vazhdon ofrimi i këtij shërbimi.
“Dy urologë nga Klinika e Urologjisë kanë qenë tre muaj në Turqi për trajnim laparoskopik, kurse para një muaji kanë filluar edhe dy urologë të tjerë trajnimin laparoskopik në Klinikën e Shkupit. Trajnimet laparoskopike kërkojnë trajnim më të gjatë dhe përvojë, kështu që, me trajnimet në vazhdimësi presim që do të avancohen këto shërbime laparoskopike, dhe pastaj operacionet laparoskopike do të jenë rutinë në Klinikën e Urologjisë në Prishtinë”, ka thënë Nuraj.
KOHA i adresoi pyetje Ministrisë së Shëndetësisë për çështjen e për promovimin që i pati bërë ministri Vitia këtij shërbimi, porse nga ky institucion nuk mori përgjigje konkrete, me arsyetimin se po i presin të dhënat nga SHSKUK-ja.
Brenda 3 vjetësh janë bërë edhe njoftime të tjera nga institucionet e shëndetësisë për funksionimin e laparoskopisë. Një prej tyre që dhënë më 3 mars të 2020-s, kur u proklamuan intervenimet e para urologjike me laparoskop.
Aty theksohej se “pacientët që vuajnë nga problemet urologjike tani do të trajtohen me aparaturën e laparoskopit, derisa në programet operative, pas një kohe të shkurtër, për trajtim me metoda bashkëkohore do të futen edhe patologjitë e tjera.
E po ky përshkrim është përdorur nga Ministria e Shëndetësisë edhe në njoftimin e marsit të sivjetmë për funksionalizimin e shërbimit.