Turizmi rural dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore shpirtërore kërkojnë kujdes të shtuar nga institucionet, pasi që me qasje të duhur ato mund të vihen në shërbim të zhvillimit ekonomik.
Këto konstatime janë theksuar të mërkurën, në Prizren në kuadër të konferencës së organizuar nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, ku është prezantuar Platforma për Turizmin Rural.
Drejtori i kësaj organizate ka theksuar se Platforma prezanton pasuritë kulturore, natyrore e shërbimet. Krahas kësaj ka thënë se me synimin për ruajtjen e kultivimin e trashëgimisë shpirtërore, 24 gra janë aftësuar për punimin e dollomave.
“Punën tonë në këtë lëmë e kemi zgjeruar përtej promovimit, me synimin që trashëgimia kulturore të shërbejë në formësim të identitetit, duke mos e izoluar atë vetëm në rolin e atraksionit turistik. Kjo qasje jo vetëm që siguron qëndrueshmëri për të tashmen, por mundëson edhe përmbushjen e përgjegjësisë që kemi ndaj brezave të ardhshëm. Kjo është edhe qasja që kemi aplikuar në projektet e ndryshme që kemi zbatuar deri më tani, por edhe në projektet e fundit”, u shpreh Valon Xhabali nga OJQ “EC Ma Ndryshe”.
Lumturije Geci nga MINT-i ka shprehur bindjen se lansimi i kësaj platforme do të ndikojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të turizmit.
“Platformat e tilla ndihmojnë zhvillimin e turizmit në përgjithësi. Sa më shumë digjitalizim të atraksioneve, qoftë atyre natyrore, kulturore e më tutje, por edhe shërbimeve siç janë përfshirë në këtë platformë do të ndikojnë në marketingun ose tërheqjen e vizitorëve në Kosovë”, tha Geci.
Linda Çavdarbasha, zëvendësministre në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë se ekzistojnë shumë monumente natyrore që duhet të mbrohen e të promovohen, ndërkohë që kjo ministri ka pak staf për menaxhimin e tyre.
“Është me të vërtetë një platformë shumë e mirë dhe besoj se këso platformash duhet të krijohen edhe prej nivelit qendror, sepse në momentin e parë që vjen turisti dëshiron ta ketë një platformë apo një vend se ku mund të informohet në lidhje me të gjitha atraksionet turistike në Kosovë, përfshirë edhe pjesën e natyrës edhe të kulturës apo çfarëdo tjetër”, deklaroi Çavdarbasha.
Ndërkaq Adem Morina nga Komuna e Prizrenit ka theksuar se pushteti lokal nëpërmjet investimeve në infrastrukturë synon zhvillimin e turizmit rural.
“Ne si Komunë fokus të veçantë e kemi po ashtu edhe pjesën e zonave rurale ngaqë e dimë që pa dhënë një kontribut në zhvillimin e infrastrukturës nuk mund të kemi edhe zhvillimin e turizmit rural”, pohoi Morina.
Në këtë konferencë gjithashtu është theksuar se angazhimi institucional për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore mbetet subjekt i diskutimit, marrë parasysh kanosjet me të cilat përballet sot kjo pjesë e trashëgimisë kulturore.