Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të premten ka organizuar lansimin e platformës “E-Komunat”, që është pjesë e platformës shtetërore “E-Kosova”, në të cilën ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se qytetarët tani do të marrin shërbime më të mira.
Sipas kryeministrit, përmes kësaj strategjie do të mundësohet qytetarëve të marrin shërbime më të mira dhe të jenë më të informuar për zhvillimet në komunat e tyre, “si dhe do të krijohet një linjë komunikimi mes tyre dhe komunarëve”.
“Ky transformim mundëson shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset. Përmes strategjisë së re E-Komuna kemi filluar një sërë reformash në zhvillimin e qeverisë digjitale. E kur flasim për shërbime, qëllimi nuk është vetëm digjitalizimi, por shërbimet duhet të ridizajnohen që ta kenë në fokus qytetarin. Parimi themelor gjatë ofrimit të shërbimeve është ai i gjithëpërfshirjes. Duhet të sigurohemi që asnjë qytetarë të mos mbetet mbrapa. Ne jemi të përkushtuar që ky proces transformues të jetë edhe i sigurt”, ka thënë Kurti, transmeton EO.
Përveç “E-Komunat”, Kurti ka bërë të ditur se sot po lansohet një numër i shërbimeve të reja në platformën “E-Kosova”, e që sipas tij ato rrisin interaksionet mes komunave dhe qytetarëve, duke bërë që qytetarët të jenë të informuar në kohë reale për zhvillimet në komunën e tyre.
“Qëllimi është që të krijohet një linjë e drejtpërdrejtë komunikimi mes qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre. Kjo do të përmirësojë edhe llogaridhënien”, u shpreh tutje kryeministri.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tregoi se cilat shërbime do të shtohen.
“Disa nga shërbimet që planifikohen në fazën e parë janë: Transmetimi i mbledhjeve të asambleve komunale, raportimi i problemeve në komunat përkatëse, informacionet mbi komunat, qasja te pasuria e zyrtarëve komunal, inicimi dhe pjesëmarrja në debatet publike. Përmes këtyre shërbimeve qytetarët kanë mundësi të adresojnë më lehtë kërkesat e tyre të organet komunale. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe shërbime tjera”, ka thënë ai.
Në ceremoninë e organizuar për lansimin e platformës “E-Komunat” morën pjesë edhe kryetarë komunash e zyrtarë komunal.