I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të vizitojë të hënën Kosovën, me ç’rast do të takojë kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i ka thënë KOHËS se do të ketë drekë pune, ndërsa nuk është bërë e ditur tema e diskutimit.
Burime diplomatike kanë thënë se është e qartë se dy tema gjatë kësaj vizite do të jenë kryesore propozimi franko-gjerman dhe presioni për Asociacionin. Sipas burimeve, propozimi tashmë ka marrë mbështetje ndërkombëtare dhe atë tashmë e mbështesin të gjitha vendet e BE-së. BE-ja insiston se Kosova e ka obligim themelimin e Asociacionit.
I dërguari i BE-së e vizitoi Kosovën ditë më parë. Ai pati shkruar se me Kurtin e Bislimin janë dakorduar që Kosova t'i zbatojë të gjithë marrëveshjet e kaluara.