Arbëri

Lajçaku takohet me emisarin e ri të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi

Sorensen & Lajçak

Sorensen & Lajçak

Miroslav Lajçak të martën është takuar me emisarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.

Në një shkrim në “X”, Lajçaku ka njoftuar se dorëzimi i detyrave po shkon në mënyrë të qetë.

“Gëzohem që sot u takova me pasardhësin tim të sapoemëruar si emisar të ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen. Takimet tona për dorëzim të detyrave janë në intensitet të plotë për të siguruar tranzicion të qetë”, ka shkruar Lajçak.

Lajçaku ishte emisar i BE-së për dialogun për gati pesë vjet. Atij i përfundoi mandati më 31 janar të këtij viti.

Peter Sorensen është diplomat danez me përvojë të gjatë nga rajoni.     

Ka ushtruar disa detyra, qysh nga periudha e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, në shtyllën që e ka udhëhequr BE-ja e deri te roli i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë.  Ka qenë edhe shefi zyrës së BE-së në Shkup si dhe i dërguar i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Serbi. 

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Kaja Kallas kishte vendosur para një jave që Sorenseni të jetë përfaqësues i posaçëm për dialog. Më pas këtë e kishin mbështetur vendet anëtare në Këshill në nivel të ambasadorëve ndërsa kjo është miratuar dje edhe formalisht pa diskutim nga ana e ministrave të jashtëm të BE-së.

E, NATO-ja ka shprehur gatishmëri për të punuar ngushtë me Peter Sorensenin kur të nisë zyrtarisht punën si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vazhdimi i bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së është kyç për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart përmes një postimi në X.