Emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të shtunën nuk i dha përgjigje pyetjes së moderatorit, në panelin diskutues në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, se për çfarë dialogohet në Bruksel, kur Serbia me anë të letrës së drejtuar bllokut evropian ka vënë vija të kuqe për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.
Ai e përsëriti disa herë qëndrimin se marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Ohër janë ligjërisht obligative për palët, teksa theksoi se po humbet kohë për diçka që nuk është e rëndësishme.
“Marrëveshjet që arritëm në Bruksel dhe në Ohër janë ligjërisht obligative në tërësinë e tyre. Kjo iu është thënë palëve dhe ato janë pajtuar përgjatë takimit në Ohër. BE-ja e ka thënë disa herë që marrëveshja është ligjërisht obligative. Pjesë të kësaj marrëveshjeje janë bërë pjesë të kapitullit 35, që i bie pjesë formale e raportit mes Serbisë e BE-së. Po humbim shumë kohë për diçka që nuk është shumë e rëndësishme. Ajo që është e rëndësishme është se kemi bërë shumë pak progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Lajçak.
Ai ka theksuar se BE-ja është e gatshëm të pranojë anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor, por paralajmëroi se kjo mundësi nuk do të jetë e hapur përgjithmonë.
E ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila ishte në të njëjtin panel me Lajçakun, ka thënë se Kosovës gjithmonë i kërkohet të mbipërmbushë kërkesa për të siguruar mundësi sikur të shteteve të tjera.
“Ajo që ishte shumë e rëndësishme për ne në Kosovë që të arrijmë është të tregojmë standardet më të larta të sundimit të ligjit, demokracisë, të drejtave të njeriut, të drejtave të shumicës në vendin tonë dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm që ne nga Kosova mund të dërgojmë. Gjithçka tjetër është pjesë e diskutimit që po bëjmë dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi sukses. Është e vërtetë që Kosova gjithmonë duhet t’i mbipërmbushë kërkesat në mënyrë që ne të kemi të njëjtat mundësi si të tjerët”, ka thënë ministrja Gërvalla.
Ajo i kërkoi përgjigje ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropë e Euroazi, James O’Brien, mbi qëndrimet që i ka për mosdënimin e Milan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.
O’Brien tha se nga Serbia janë marrë premtime në këtë drejtim dhe se SHBA-ja pret që ato të përmbushen.
“SHBA-ja në vazhdimësi ka thënë se krimet e kryera në shtator të 2023-s duhet të ndëshkohen. Presim dhe besoj se na është premtuar që Radoiçiqi do të kalojë nëpër një proces të plotë ligjor në Serbi”, ka thënë O’Brien. “Presim që procesi ndaj tij të përfundojë”.
Forumi i Dubrovnikut është konferencë e përvitshme që mbledh ministra dhe figura të larta politike nga vende të ndryshme të botës për trajtimin e çështjeve në agjendën politike globale.