Arbëri

Lajçaku pritet t’i vizitojë Kosovën e Serbinë në ditët në vazhdim

lajcak

Pas sulmeve të djeshme të armatosura ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ka pasur konsultime të ngjeshura në bashkësinë ndërkombëtare dhe përpos vizitave në Prishtinë, ka pasur diskutime edhe në Bruksel.

Të hënën ishte paralajmëruar takimi i të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, me këshilltarët e lartë të krerëve të Francës, Gjermanisë e Italisë, me pjesëmarrjen e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.

Disa prej këtyre takimeve ishin paralajmëruar edhe më parë për të diskutuar ecjen përpara në dialog, por tash pas dhunës që u shfaq dje me rastin e sulmit, është vendosur që të shtohet formati dhe të diskutohet edhe për aspektet e sigurisë në Kosovë.

Burimet e BE-së kanë paralajmëruar se në ditët në vijim, i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, planifikon t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë, por aranzhimet për këtë vizitë s’janë dakorduar akoma dhe janë në përgatitje e sipër.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë në Bruksel se BE-ja ka pasur qëndrim të qartë dhe se e dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Por në një pyetje se a e mban BE-ja akoma qëndrimin se Serbia i ka bërë të gjitha hapat e nevojshëm për ulje tensionesh në veri e Kosova s’ka bërë sa duhet për çfarë Kosova i ka në fuqi masat ndaj saj e Serbia jo, ky zëdhënës e ka bartur përgjegjësinë te vendet anëtare të BE-së duke thënë se ato vendosin për masa.

Ai ka kujtuar se masat ishin vendosur si fleksibile që mund të hiqen a të shtohen varësisht nga situata në terren e se ato në këtë moment janë ndaj Kosovës, por mund të bëhen edhe ndaj Serbisë. Ky zyrtar i BE-së ka thënë po ashtu se është urgjente kthimi i normalitetit në veri të Kosovës dhe kthimi në dialog për normalizim raportesh.