I dërguari i Bashkimit Evropianit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të vijë të premten (6 shtator) në Kosovë, ka njoftuar korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj.
Lajçaku kishte deklaruar se do të zhvillonte një takim në Kosovë me qëllim të përgatitjes së një takimi në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut. Javën e kaluar, Lajçak takoi presidentin serb në Beograd, Aleksandar Vuçiq.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet të evitojnë çdo veprim të njëanshëm dhe hapa të njëanshëm e të pakoordinuar që mund të kontribuojnë në rritje të tensioneve edhe më tepër.
Stano në konferencë për media është pyetur lidhur me mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri dhe ftesës së pesë zyrtarëve të Listës Serbe nga Policia e Kosovës për intervistim mbi dyshimin për “falsifikim të dokumenteve”.
“Ne kemi një situatë që edhe ashtu është tashmë shumë e paqëndrueshme, e shqetësimi ynë kryesor është...e ky është mesazhi kryesor për autoritetet e Kosovës – të evitojnë çdo veprim e hapa të njëanshëm e të pakoordinuar që kontribuojnë në rritje të tensioneve dhe përshkallëzimin edhe më tepër të tensioneve. Kështu që po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje të zgjidhim më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku i takon – në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano.