Shkaku i situatës në veri, të hënën dhe të martën do të qëndrojnë për vizitë në Kosovë dhe Serbi emisarët amerikanë për rajonin. I dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, dhe ai evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, synojnë që nëpërmjet vizitave të gjejnë një zgjidhje që do ta mundësonte uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Krahas kësaj synohet edhe sekuencimi i hapave për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit
Të hënën dhe të martën zyrtarët e lartë amerikanë dhe evropianë do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, e cila do ta mundësojë uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm amerikan për rajonin, së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, do të qëndrojnë në Prishtinë dhe Beograd, ku do të bisedojnë me zyrtarët e lartë të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas burimeve diplomatike në BE-së, qëllimi i kësaj vizite të përbashkët është, para së gjithash, që të arrihet një zgjidhje për të tejkaluar situatën e krijuar në veriun e Kosovës dhe për të ulur tensionet.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës njëzëshëm kanë shprehur shqetësim për atë që po ndodh në veri dhe kanë kërkuar nga palët që pa kushte të ndërpresin aktet e njëanshme dhe provokimin e dhunës.
Por që të dyja palët përgjegjësinë kryesore për atë që është duke u zhvilluar në veri të Kosovës e kanë bartur mbi autoritetet e Kosovës. Zyrtarët e BE-së pohojnë se do të kërkohet një zgjidhje në bazë të asaj që është propozuar pas takimeve në Moldavi, ku ishin takuar edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. E në këto takime ishte edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.
Siç dihet, tashmë është propozuar që si mundësi për të dalë nga kjo situatë të jenë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat në veri.
Në BE pohojnë së qëllim tjetër i kësaj vizite është për të vazhduar punën në detajimin e një udhërrëfyesi apo sekuencimi të hapave në implementimin e Marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj të arritur në Ohër.
Në BE pohojnë se nuk duhet të lejohet që përshkallëzimi i situatës, i cili ka ndodhur ditëve të fundit, të rrezikojë gjithë atë që është arritur më parë nëpërmjet kësaj marrëveshjeje.
Bashkimi Evropian, kur ishte arritur kjo marrëveshje, e kishte quajtur si sukses të jashtëzakonshëm ndërsa Josep Borrell kishte thënë se kjo po shënon kthimin në një fazë më normale, në fazë të normalizimit dhe implementimit në vend të menaxhimit të krizave me çka ishte marrë BE-ja në të kaluarën.
Por tash, pas këtyre tensioneve, përsëri po kthehemi në fazën kur Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duhet të merren, së pari me menaxhimin e krizës dhe më pas me zbatimin e marrëveshjes për normalizim.