Arbëri

Lajçak propozoi zgjidhje të përkohshme për dinarin

Në mungesë të pajtimit mes palëve, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka propozuar një zgjidhje të përkohshme mbi bazën e së cilës do të vijojnë diskutimet e mëtejme. Një ditë pas dështimit që të arrihet pajtimi, zyrtarë të BE-së thanë se palët duhet të dakordohen pa vonesa të mëtejshme tek shtuan se një zgjidhje e përhershme lidhur me implikimet e Rregullores së BQK-së te komuniteti serb duhet të arrihet në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve

Propozimi që emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, u ka bërë palëve në takimin e fundit në Bruksel është i përkohshëm dhe adreson implikimet e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me paratë e gatshme. Një ditë pas dështimit të palëve, që të arrijnë pajtim rreth kësaj çështjeje, zyrtarë të BE-së thanë se emisari ka paraqitur idetë mbi të cilat bazohet zgjidhja e përkohshme. 

“Më 4 prill, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (EUSR) priti kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër diskutimesh mbi një zgjidhje të përkohshme për të adresuar implikimet e rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për paratë e gatshme për komunitetin serb të Kosovës. Ky tashmë ishte takimi i katërt për këtë temë në pesë javët e fundit. Meqenëse palët nuk mund të kapërcenin dallimet në propozimet e tyre origjinale, lehtësuesi i BE-së paraqiti ide mbi të cilat mund të bazohej një zgjidhje e përkohshme. U ra dakord me palët që diskutimet e mëtejshme të bazohen në idetë e paraqitura nga BE-ja”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.  

Ai ka shtuar se zgjidhja e përhershme lidhur me këtë çështje duhet të negociohet në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. 

“Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (EUSR) planifikon t’i ftojë palët në takim javët e ardhshme. Le të kujtojmë se një zgjidhje e përkohshme duhet të arrihet pa vonesa të mëtejshme dhe duhet të negociohet një zgjidhje e përhershme si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit  të marrëdhënieve”, është shprehur ai. 

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të enjten se pranoi propozimin e emisarit të BE-së, teksa Serbia ka kërkuar kohë shtesë. 

“Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes i palëve të përfshira. Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerrë një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti u shkon për shtat qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, ka thënë Bislimi pas takimit. 

Analisti Arbnor Sadiku thotë se pas vendimit për tokat e Manastirit të Deçanit, Qeveria shfaqi vullnet politik për të negociuar këtë me gjithë refuzimin fillestar. 

“Natyrisht që një herë është thënë se nuk do të shkohet fare në dialog për dinarin, tani ka pasur një hap pozitiv ku palët janë në bisedime në Bruksel për këtë çështje. Besoj se Kosova po tregohet më bashkëpunuese dhe Serbia, që si duket ende nuk është e gatshme krejtësisht ta thotë fjalën e fundit, për faktin që nëse edhe e pranon duhet ta mendojnë mirë si t’ia shesin opinionit publik në Serbi, pasi që ju e dini për të gjitha vendimet dhe lëshimet që Serbia i ka bërë në raport me Kosovën ia ka lënë fajin BE-së ose Washingtonit”, ka theksuar Sadiku. 

Sipas tij, refuzimi i Serbisë është blerje kohe dhe tentim për ta ruajtur ‘status quon’ në veri. 

“Serbia është duke taktizuar me qëndrimet ndaj dinarit dhe natyrisht jo që nuk do t’i pranojë, sepse në fund të fundit vendimet që vijnë  nga fuqitë e mëdha do të detyrohet t’i zbatojë edhe Serbia. Natyrisht se ajo i bënë taktizimet e saja në kuptimin e asaj që se pari të mendoj se si ta shesë kompromisin me Kosovën dhe natyrisht në anën tjetër kjo do të shikohet si një lloj presioni për bashkësinë ndërkombëtare se kinse duke u shtypur serbët e Kosovës, që janë trillime të vazhdueshme dhe propagandë e Qeverisë së Serbisë”, ka thënë ai. 

Me gjithë kundërshtimin e BE-së dhe SHBA-së, Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti. Për shkak të mospërfilljes së kërkesës amerikane, ambasadori Jeffrey Hoveneier dhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, patën deklaruar se SHBA-ja nuk do të mund ta trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar paraprakisht. Pas kritikave, Qeveria paralajmëroi një fazë tranzicioni me një listë prej 10 masave, në mënyrë që qytetarët serbë të mos dëmtohen në fazën kalimtare deri te zbatimi i plotë i Rregullores së re. Veç negociatave që do të zhvillohen në Bruksel për këtë çështje, serbët e kanë sfiduar rregulloren edhe në Gjykatën Kushtetues. Ky institucion më 20 shkurt ka pranuar “vetëm formularin e kërkesës” parashtruar nga avokati Vasilije Arsiq, i cili konteston kushtetutshmërinë e nenit 35 të Rregullores së BQK-së për operacione me para të gatshme. Sipas tyre, pretendimi është për shkeljen e 12 neneve të Kushtetutës. 

Në Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se “valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro”. 

Sipas BQK-së, valutat e tjera joeuro mund të përdoren në Kosovë vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta joeuro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta joeuro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor.