Arbëri

Lajçak nuk shpreh shqetësim për pozicionin e PDK-së dhe LDK-së për Planin evropian

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me përfaqësues të partive opozitare. Ai tha se takimet kanë arritur qëllimin që kishte, ani se liderët e dy prej tri partive në opozitë i shprehën qëndrimet kundërshtuese në raport me Planin evropian për dialogun.

Përfaqësues të partive opozitare nuk kanë ndryshuar qëndrimet për Planin evropian për dialogun, as pas takimit që të premten e zhvilluan me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas pritjes që Lajçakut ia bëri në zyrat e partisë, ka thënë se dokumenti e shtyn sigurimin e njohjes nga Serbia dhe krijon bazë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në kundërshtim me Kushtetutën.

“Pa njohje të ndërsjellë ne do të kemi vazhdim të dialogut ashtu siç parasheh neni 6 i marrëveshjes, do të ketë një vazhdimësi të pafundme të këtij procesi, i cili do të jetë kushedi sa i gjatë, ndoshta edhe 10, 12, 15 vjet, por krijon një status quo të re, e cila nuk e përfundon konfliktin e ngrirë me Serbinë”, ka thënë Krasniqi.

Lajçak ka shkuar edhe në zyrat e LDK-së. Në një komunikatë për media, që kjo parti e ka lëshuar pas takimit, theksohet se kryetari Lumir Abdixhiku i ka kërkuar sqarime emisarit evropian për dy pika të dokumentit, 7 dhe 10 të Planit evropian, si dhe ka shprehur qëndrimin për përmbajtjen si tërësi të këtij dokumenti.

“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë - Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

E, dallim me forcat e tjera opozitare ka AAK-ja. Edhe pas takimit me Lajçakun, përfaqësues të kësaj partie kanë thënë se Plani përbën hap të rëndësishëm për Kosovën.

“Duhet për t’i kuptuar rrethanat nëpër të cilat po punojmë ne, rrethanat në të cilat gjendet Kosova dhe kur i kemi të gjitha këto parasysh, mendojmë se nuk është detyrimisht përfundimtarja, por është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën”, ka deklaruar nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

Pas përfundimit të takimeve, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi ka deklaruar se është përmbushur qëllimi për të cilin ka takuar përfaqësuesit e partive opozitare.

“Ata shpjeguan qëndrimet e partive të tyre. Kështu që e gjitha është pjesë e përgatitjeve të takimit të 18 marsit. Është shumë e rëndësishme që ata të njoftohen nga unë e jo vetëm nga mediat apo në Parlament. Për mua këto takime e kanë arritur qëllimin”, ka thënë Lajçaku.

Lajçaku nuk ka shprehur shqetësim për mundësinë e kundërshtimit të marrëveshjes nga subjektet në opozitë.

“Jo nuk jam i shqetësuar. Jam optimist”, ka shtuar ai.

Lajçak ka nisur vizitën në Kosovë të enjten, kur është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti. Ai synon të sigurojë përafrimin e qëndrimit të palëve mbi udhërrëfyesin për zbatimin e Planit evropian për dialogun, e për të cilin synohet të arrihet marrëveshja mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në një takim që është planifikuar të realizohet më 18 mars në Ohër.