Arbëri

Lajçak në Kosovë për përgatitjen e takimit të kryenegociatorëve

Krahas Prishtinës, Lajçak nuk është planifikuar që ta vizitojë edhe Beogradin. Ai u pati takuar në Pragë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe ky takim besohet të jetë arsyeja përse ai kësaj radhe do të qëndrojë vetëm në Kosovë, por jo edhe në Serbi

Burime të Bashkimit Evropian në Bruksel kanë konfirmuar se i dërguari i posaçëm për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pritet që ta vizitojë Kosovën të premten, ndërkaq kësaj radhe, krahas Prishtinës, nuk është planifikuar ndonjë vizitë e tij edhe në Beograd.

Kjo vizitë, siç është shprehur më herët edhe vetë Lajçak, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në kuadrin e dialogut në nivel të kryenegociatorëve.

Lajçak këtë e ka thënë në Pragë, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Takimi i Lajçakut me Vuçiqin duket të jetë arsyeja përse kësaj radhe ai zhvillon vizitë vetëm në Kosovë, por jo edhe në Serbi.

Emisari Lajçak ka mandat në këtë detyrë deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm, në kuadër të rolit të tij si lehtësues i dialogut. Ai është dashur që më 1 shtator ta niste mandatin si ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër, por BE-ja ka vendosur që atij t’ia shtyjë mandatin e emisarit për dialog edhe për pesë muaj të tjerë në mënyrë që të mos ketë ndonjë boshllëk në kuadër të procesit të dialogut.

Përfaqësuesja e lartë e ardhshme e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, do të duhet të vendosë se kush do të jetë pasardhësi i Lajçakut, nëse do të ketë fare pasardhës të tij dhe si do t’i qaset Bashkimi Evropian procesit të dialogut.

E përkitazi me situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, si dhe me veprimet e kohëve të fundit të autoriteteve të Kosovës, të cilat në Bashkimin Evropian janë kualifikuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara, ndërsa nga përfaqësuesit e serbëve janë parë si përndjekje politike, në BE kanë thënë se nuk kanë çfarë të shtojnë përpos thirrjeve që të ketë veprime që shkojnë drejt uljes së tensioneve dhe që gjithçka të zgjidhet nëpërmjet dialogut.

Këtë e ka thënë përsëri të enjten zëdhënësi i BE-së për Çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano. 

“Bashkimi Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës dhe po i përcjellim qartë mesazhet tona. Nuk kemi se çfarë t’i shtojmë asaj që e kemi thënë më herët për këtë çështje. E kemi edhe ashtu një situatë mjaft të ndjeshme dhe mesazhi është që të evitohen hapat të cilët mund të nxisin tensione. Shpresojmë që këto çështje t’i zgjidhim aty ku takojnë e ato i takojnë procesit të dialogut”, ka thënë Stano në një konferencë shtypi në Bruksel.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania e kanë kritikuar Kosovën për “veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara”, në veri pasi që më 30 gusht autoritetet e Kosovës i mbyllën pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb. Por partia Lista Serbe e ka cilësuar ftesën për intervistim si “përndjekje politike” të serbëve.

Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, “këto institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Institucionet e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin-Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe në vendbanimet ku jeton komuniteti serb. Këto institucione, sipas ligjeve në Kosovë, janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel kanë arritur marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, porse kjo marrëveshje ende nuk është zbatuar plotësisht.